Aktualitet
FLUTURIMI QË MUND TË NDRYSHOJË GJITHÇKA/ GPS-i, telefonat dhe tre AirTag-ët në “lupë”, pse Franca mund të vonojë ekstradimin e Ermal Beqirajt
Arrestimi i Ermal Beqirajt në Francë mund të mos përfundojë me një ekstradim të shpejtë drejt Shqipërisë. Fluturimi i pazakontë me një avion të vogël mbi centralin bërthamor të Penly ka hapur një tjetër front hetimi, i cili mund të marrë përparësi ndaj kërkesës së SPAK-ut.
Eksperti i sigurisë Fation Softa deklaroi se autoritetet franceze pritet të analizojnë me hollësi itinerarin e avionit, pajisjet e komunikimit, të dhënat e navigimit dhe çdo material që mund të tregojë nëse kalimi mbi infrastrukturën kritike ishte një gabim apo një veprim i qëllimshëm.
Në qendër të hetimit pritet të jenë GPS-i dhe sistemi i navigimit të avionit, telefonat, laptopët, komunikimet e kryera gjatë fluturimit dhe tre pajisjet AirTag që iu gjetën Beqirajt gjatë kontrollit.
Nëse incidenti vlerësohet vetëm si shkelje e rregullave të fluturimit, çështja mund të mbyllet me masën e vendosur nga autoritetet franceze. Por nëse dalin elemente që ngrenë dyshime për një qëllim tjetër, ekstradimi drejt Shqipërisë mund të kalojë në plan të dytë.
“NUK ISHTE NJË PILOT I RASTËSISHËM”
Sipas Softës, Beqiraj nuk mund të trajtohet si një person pa përvojë, pasi lidhet me një kompani që zotëron avionë privatë dhe pritet të ketë njohuri për korridoret ajrore, lartësitë e lejuara dhe zonat ku fluturimi është i kufizuar.
“Një person që ka kompani fluturimi i njeh shumë mirë korridoret dhe rrugët e kalimit. Duhet të marrësh leje për t’u ngritur nga pista dhe duhet të kesh një drejtim të përcaktuar”, deklaroi eksperti.
Avioni ishte nisur nga aeroporti i Albertit, në veri të Francës, kishte fluturuar drejt zonës së Calais dhe më pas kishte vazhduar itinerarin deri në Normandi, ku u pikas mbi centralin bërthamor të Penly.
Gjatë kalimit mbi zonën e mbrojtur, avioni raportohet se zbriti nën lartësinë e lejuar. Forcat ajrore franceze ndërhynë, e shoqëruan avionin deri në aeroportin e Albertit dhe Beqiraj u ndalua sapo preku pistën.
TRE AIRTAG-ËT DHE KOMUNIKIMET NË AJËR
Një prej elementeve më të pazakonta të dosjes është gjetja e tre pajisjeve AirTag të fshehura në veshjet e Beqirajt.
AirTag-ët përdoren kryesisht për lokalizimin e sendeve përmes rrjetit të pajisjeve Apple, por hetuesit pritet të kërkojnë të zbulojnë se përse Beqiraj i mbante me vete dhe nëse ato lidhen në ndonjë mënyrë me udhëtimin.
Softa tha se do të kontrollohen telefonat, pajisjet elektronike dhe komunikimet e realizuara gjatë fluturimit, për të përcaktuar nëse Beqiraj ka vepruar i vetëm apo ka komunikuar me persona në tokë.
Autoritetet pritet të verifikojnë gjithashtu historikun e fluturimeve të avionit, të dhënat e navigimit dhe nëse gjatë kalimit mbi central janë realizuar fotografi, filmime apo skanime.
Megjithatë, deri në përfundimin e hetimeve nuk ka prova të bëra publike që fluturimi mbi centralin e Penly të ketë pasur qëllim spiunazhi apo ndonjë objektiv tjetër kriminal.
GABIM NË FLUTURIM APO LËVIZJE E QËLLIMSHME?
Beqiraj raportohet se u ka deklaruar autoriteteve franceze se kishte gabuar me lartësinë, pasi në atë moment ishte duke folur në telefon me nënën e tij.
Por pikërisht itinerari, përvoja e tij në aviacion dhe kalimi mbi një objekt me rëndësi strategjike kanë bërë që autoritetet franceze të vazhdojnë verifikimet.
“Nëse nuk është rastësor dhe konsiderohet fluturim i qëllimshëm, do të shihet GPS-i i avionit, nëse ka fotografi apo skanime të zonës dhe me kë ka komunikuar”, deklaroi Softa.
Sipas ekspertit, gjetja e provave të tilla mund ta rëndonte ndjeshëm pozicionin e Beqirajt dhe t’i jepte përparësi hetimit penal në Francë.
EKSTRADIMI, PROCEDURA MUND TË ZGJASË
Avokati Fran Dashi deklaroi se arrestimi i Beqirajt përbën një zhvillim të rëndësishëm për SPAK-un dhe mund të jetë rezultat i bashkëpunimit me autoritetet franceze.
Sipas tij, gjithçka do të varet edhe nga qëndrimi që Beqiraj do të mbajë përpara drejtësisë franceze.
Nëse ai pranon ekstradimin, kthimi në Shqipëri mund të realizohet brenda disa javësh. Nëse e kundërshton, procedura mund të zgjasë mbi 40 ditë ose edhe disa muaj, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga gjykatat franceze.
Por mbi këtë procedurë qëndron tashmë një pikëpyetje tjetër: a do ta dorëzojë Franca menjëherë të kërkuarin e SPAK-ut, apo do ta mbajë derisa të sqarojë plotësisht se përse avioni i tij përfundoi mbi një central bërthamor?
Beqiraj kërkohet në Shqipëri në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-t dhe dyshohet për gjashtë vepra penale. Akuzat ndaj tij mbeten për t’u provuar përfundimisht përpara gjykatës.