Connect with us

Politike

Arrestimi i bujshëm i Ermal Beqirajt/ Braho: Ishim në kontakt prej javësh me autoritetet franceze

Kreu i SPAK, Klodian Braho, ka deklaruar se arrestimi në Francë i Ermal Beqirajt ishte rezultat i një bashkëpunimi të koordinuar me autoritetet franceze dhe jo një veprim i rastësishëm.

Gjatë një takimi me gazetarët, Braho bëri të ditur se Prokuroria e Posaçme kishte qenë prej javësh në kontakt me autoritetet franceze, duke shkëmbyer informacione për vendndodhjen dhe aktivitetet e Beqirajt, përpara se ai të arrestohej.

Sipas tij, pas marrjes së masës së sigurisë nga gjykata, SPAK ka ndjekur procedurat për shpalljen në kërkim ndërkombëtar dhe ka dërguar letërporosi pranë autoriteteve franceze, të cilat çuan në ndalimin e tij.

Ermal Beqiraj u arrestua në Francë në kuadër të hetimeve për dosjen “AKSHI”. Ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” për disa vepra penale, ndërsa autoritetet shqiptare kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

“Prokuroria, në çdo rast, sapo merr urdhrin e gjykatës, e dërgon për ekzekutim pranë organit që ka detyrën përkatëse. Në këtë moment është bërë shpallja në kërkim ndërkombëtar dhe personi që ju përmendni është njëri prej tyre. Nuk ka qenë një veprim i rastësishëm. Prokuroria ka qenë prej javësh në kontakt me autoritetet franceze, ka ndarë informacion me francezët, jo vetëm për kapjen e tij, por edhe për veprimet e tij. Për veprime të tjera do t’ju bëjmë me dije në vijim. Prokuroria e ka ditur se ku ai ndodhej dhe ka dërguar letërporosi para se ai të arrestohej”, tha Braho.

Ermal Beqiraj u arrestua në Francë pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar me kërkesë të SPAK për dosjen “AKSHI”. Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg” për disa vepra penale, mes tyre heqje e paligjshme e lirisë, konkurrencë e paligjshme përmes dhunës, shkelje të barazisë në tendera publikë, grup i strukturuar kriminal dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Sipas autoriteteve shqiptare, arrestimi u realizua falë bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Lion. Beqiraj ndodhet aktualisht në paraburgim në Francë dhe pritet të ndiqen procedurat ligjore për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

Advertisement