Connect with us

Politike

Rama: Turp të mbash pushtetin nëse harron pse ta kanë dhënë

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Partia Socialiste mund të kërkojë mandate të tjera qeverisëse vetëm nëse arrin të dëgjojë jo vetëm mbështetësit e saj, por edhe qytetarët që nuk e votojnë apo nuk e duartrokasin. Në fjalën e mbajtur para drejtuesve politikë të PS-së, ai theksoi se sfida nuk është të qëndrojnë gjatë në pushtet, por të qëndrojnë pranë njerëzve dhe të përmbushin misionin për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Rama u shpreh se detyra e socialistëve nuk është të bindin kundërshtarët se nuk janë të lidhur pas pushtetit, por të mos shkëputen nga qytetarët dhe të dëgjojnë shqetësimet e tyre. Sipas tij, është nder të kërkosh të përmbushësh një mision historik, por është turp të mbash pushtetin nëse harron arsyen pse qytetarët ta kanë besuar.

Kryeministri solli edhe shembuj nga e kaluara, duke kujtuar humbjen e Bashkisë së Tiranës dhe zgjedhjet e vitit 2005. Ai tha se edhe episode që në pamje të parë dukeshin të vogla u kthyen në mësime të rëndësishme për Partinë Socialiste, duke theksuar se humbjet duhet të shërbejnë për reflektim dhe korrigjim.

 

Advertisement