Aktualitet
Përplasje me shkopinj bejsbolli, tre të plagosur pas sherrit në një lokal lloto
Një konflikt i nisur gjatë ditës në qytetin e Tepelenës ka marrë përmasa më të rënda pas mesnate, duke lënë të plagosur tre persona.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00, kur disa prej personave të përfshirë në konfliktin e mëparshëm ndodheshin në një lokal lloto në qytet. Sipas informacioneve paraprake, në ambientet pranë lokalit kanë mbërritur persona të tjerë me tre automjete fuoristradë, duke rikthyer përplasjen mes palëve.
Debati është kthyer shpejt në dhunë fizike, ku janë përdorur mjete të forta dhe sende të mprehta. Si pasojë e përleshjes, tre persona, mes tyre dy vëllezër dhe një kushëri i tyre, kanë mbetur të plagosur pasi janë goditur me shkopinj bejsbolli dhe mjete të tjera.
Të plagosurit janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Gjirokastrës, ku sipas bluzave të bardha ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka nisur hetimet dhe ka shpallur në kërkim personat e dyshuar për përfshirjen në ngjarje. Ndërkohë, mbetet për t’u sqaruar nëse autoritetet kishin dijeni për konfliktin e nisur më herët gjatë ditës dhe nëse ishin marrë masa parandaluese për të shmangur përshkallëzimin e situatës.