Politike
“Neomalsore Agroturizëm”/ Braçe i kerkoi dokumentet, Koçeku: Tre breza por ende pa dokumente
Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka reaguar pas deklaratave të deputetit socialist Erion Braçe, i cili ngriti pikëpyetje lidhur me dokumentacionin e pronësisë së subjektit “Neomalsore Agroturizëm”, i lidhur me të.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koçeku kundërshtoi deklaratat e Braçes, duke theksuar se familja e saj jeton prej tre brezash në atë zonë, por ende nuk ka arritur të pajiset me dokumente pronësie.
“Jo, zoti Braçe, nuk i kam letrat. Nëna ime ka ardhur vajzë aty, është bërë nënë dhe është bërë gjyshe. Ka tre breza aty dhe zero dokumente”, shkroi deputetja.
Në reagimin e saj, Koçeku ngriti pyetjen nëse mungesa e dokumentacionit është përgjegjësi e banorëve apo e shtetit, duke argumentuar se problematika e pronësisë në zonat rurale vijon prej dekadash pa marrë një zgjidhje përfundimtare.
Ajo iu drejtua gjithashtu Braçes me një pyetje ironike, duke theksuar se ai ka qenë pjesë e Kuvendit për shumë legjislatura.
“Pra, më thuaj ti mua: a u ka munguar vullneti prindërve të mi dhe banorëve të atyre zonave, apo i ka munguar vullneti shtetit? Ma shpjego ti mua, që e ke në legjislaturë pothuajse aq sa unë kam vite jetë”, deklaroi Koçeku.
Debati mes dy deputetëve ka rikthyer në vëmendje çështjen e pazgjidhur të pronësisë në zonat rurale, ku shumë familje vazhdojnë të jetojnë dhe të zhvillojnë aktivitete ekonomike pa dokumentacion të plotë pronësor.