Connect with us

Politike

“Territorialja” ndez përplasjen, Partia e Lirisë kundër shkrirjes së 15 bashkive

Propozimi i Partisë Socialiste për hartën e re territoriale, që parashikon shkrirjen e 15 bashkive, ka sjellë reagime të forta nga opozita. Partia e Lirisë ka kundërshtuar draftin e mazhorancës, duke e cilësuar atë si një nismë që cenon autonominë vendore dhe decentralizimin.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, deklaroi se ndryshimet e propozuara nuk synojnë përmirësimin e shërbimeve publike, por sipas tij përqendrimin e pushtetit vendor në duart e qeverisë qendrore.

“Shkrirja e 15 bashkive nuk është një reformë territoriale që synon përmirësimin e shërbimeve publike apo rritjen e efikasitetit të administratës, por përqendrim i pushtetit vendor në duart e qeverisë qendrore, duke dobësuar komunitetet lokale dhe duke larguar administratën nga qytetarët”, u shpreh Blushi.

Sipas tij, drafti është hartuar pa konsultim me komunitetet dhe pa një analizë të plotë mbi ndikimin financiar apo përfitimet që do të sjellë për qytetarët. Blushi pretendon se ndryshimet bien ndesh me parimet e vetëqeverisjes vendore dhe mund të rrisin distancën mes banorëve, veçanërisht në zonat rurale dhe malore, dhe shërbimeve administrative.

“Deri më sot, Edi Rama nuk ka zhvilluar asnjë konsultim real me qytetarët, nuk ka paraqitur asnjë analizë ndikimi dhe nuk ka pyetur komunitetet që kërkon t’i heqë nga harta administrative”, deklaroi ai.

Partia e Lirisë i ka kërkuar qeverisë të tërhiqet nga drafti dhe ka propozuar që çdo ndryshim i hartës territoriale të vendoset përmes referendumit, duke e konsideruar konsultimin me qytetarët si kusht për një reformë të tillë.

Advertisement