Bota
ALEANCA E RE PO TRONDIT LINDJEN E MESME
Turqia, Arabia Saudite dhe Pakistani pritet të firmosin një marrëveshje të përbashkët në fushën e mbrojtjes, në një zhvillim që mund të ndikojë në ekuilibrat e sigurisë në Lindjen e Mesme. Marrëveshja pritet të nënshkruhet gjatë samitit trepalësh që zhvillohet këtë të premte në Riad.
Sipas agjencisë Reuters, e cila citon dy burime rajonale me njohuri të drejtpërdrejta mbi takimin, pakti i ri do të jetë pjesë e diskutimeve mes tre vendeve për forcimin e bashkëpunimit ushtarak dhe koordinimin në çështjet e sigurisë.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan do të zhvillojë një vizitë njëditore në Arabinë Saudite, ku pritet të takohet me Princin e Kurorës Mohammed bin Salman dhe kryeministrin pakistanez Shehbaz Sharif.
Sipas kreut të Komunikimit të Presidencës turke, Burhanettin Duran, në fokus të samitit do të jenë siguria rajonale, bashkëpunimi në mbrojtje, kërcënimet ndaj lundrimit detar dhe zhvillimet e fundit që lidhen me tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.
Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, mbërriti në Riad të enjten për një vizitë zyrtare treditore, i shoqëruar edhe nga shefi i ushtrisë pakistaneze, marshalli Asim Munir, një tregues i rëndësisë që i jepet dimensionit të sigurisë në këtë takim.
Marrëveshja e pritshme vjen në një periudhë kur marrëdhëniet ushtarake mes Turqisë dhe Arabisë Saudite janë zgjeruar ndjeshëm. Bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes ka qenë një nga shtyllat kryesore të afrimit mes dy vendeve, ndërsa tregtia dypalëshe arriti në 8.5 miliardë dollarë deri në fund të vitit 2025.
Një pjesë e rëndësishme e këtij bashkëpunimi lidhet me teknologjinë ushtarake turke. Arabia Saudite ka nënshkruar marrëveshje për furnizim me dronë të prodhuesit turk Baykar, si dhe për bashkëprodhim të mjeteve ajrore pa pilot, transferim teknologjie dhe trajnimin e personelit ushtarak.
Në muajin shkurt, Ankaraja dhe Riadi finalizuan gjithashtu një marrëveshje për prodhimin e përbashkët të helikopterit turk Gökbey, ndërsa vijojnë diskutimet për mundësinë e përfshirjes saudite në projektin e avionit luftarak të gjeneratës së pestë KAAN.
Takimi në Riad zhvillohet në një periudhë kur siguria detare në rajon është bërë një shqetësim kryesor. Vetëm një javë më parë, Arabia Saudite prezantoi një koalicion shumëkombësh detar për mbrojtjen e transportit tregtar në Detin e Kuq, ngushticën Bab el-Mandeb dhe Gjirin e Adenit nga sulmet e rebelëve Huthi.
Turqia dhe Pakistani kanë shprehur mbështetje për këtë nismë, duke sinjalizuar një koordinim më të madh mes tre vendeve për çështjet e sigurisë.
Marrëveshja trepalëshe e mbrojtjes, nëse nënshkruhet, pritet të jetë një hap i rëndësishëm në forcimin e lidhjeve strategjike mes Ankarasë, Riadit dhe Islamabadit, në një kohë kur Lindja e Mesme po përballet me një periudhë të re pasigurie dhe rivalitetesh gjeopolitike.