✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Shehi hap debatin për hartën e re të Shqipërisë: Ndajeni fshatin nga qyteti

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, ka hedhur idenë për një riorganizim të ndarjes territoriale të Shqipërisë, duke propozuar shtimin e numrit të bashkive dhe reduktimin e qarqeve.

Duke folur për mënyrën se si duhet të organizohet pushteti vendor, Shehi e konsideroi të ekzagjeruar ekzistencën e 12 qarqeve për një vend me rreth 2 milionë banorë. Sipas tij, niveli i dytë i qeverisjes vendore duhet të jetë më i kufizuar në numër, por të ketë më shumë kompetenca.

Shehi sugjeroi që Shqipëria të ketë rreth 4 ose 5 qarqe, ndërsa numri i bashkive të rritet në rreth 80-90, me synimin që njësitë vendore të përfaqësojnë më mirë karakteristikat dhe nevojat e zonave të ndryshme.

Sipas tij, një ndarje e tillë do të mundësonte më shumë eficiencë dhe një administrim më të përshtatur me specifikat e komuniteteve lokale.

Në të njëjtën linjë, kreu i LZHK-së theksoi edhe nevojën për një trajtim të veçantë të zonave rurale dhe urbane, duke kërkuar që në një reformë të ardhshme territoriale të merret më shumë në konsideratë dallimi mes fshatit dhe qytetit.

Propozimi i Shehit rikthen në vëmendje debatin për reformën territoriale dhe mënyrën se si duhet të organizohet pushteti vendor në Shqipëri.

Advertisement