Kosova
“Oj Kosovo, Kosovo”/ Kos për incidentin me këngën serbe: I shpreha keqardhje Kurtit
Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka kërkuar ndjesë ndaj Kosovës pas incidentit me interpretimin e melodisë së këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” në një koncert të organizuar nga Komisioni Evropian në Bruksel. Ajo konfirmoi se ka zhvilluar një bisedë me kryeministrin Albin Kurti, të cilit i ka shprehur keqardhjen për ngjarjen.
Gjatë një debati në Komisionin për Çështje të Jashtme dhe Evropiane të Dhomës së Përfaqësuesve të Belgjikës, më 17 nëntor, Kos sqaroi se repertori ishte përzgjedhur nga grupi muzikor i angazhuar për koncertin dhe se Komisioni Evropian nuk kishte miratuar paraprakisht çdo këngë.
“Na vjen shumë keq që ndodhi kjo, sepse Kosova e meriton gjithë mbështetjen tonë dhe do ta marrë gjithë mbështetjen tonë”, deklaroi komisionarja.
Incidenti ndodhi më 15 nëntor, gjatë koncertit me titull “Meloditë e unitetit: Harmoni nga udhëkryqi i Evropës”. Në repertorin muzikor u përfshi edhe melodia e këngës serbe “Oj Kosovo, Kosovo”, teksti i së cilës përmban pretendime territoriale ndaj Kosovës. Gjatë interpretimit nuk u kënduan vargjet, por titulli i këngës u shfaq në ekran.
Ngjarja shkaktoi reagime nga përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe deputetë të Parlamentit Evropian, të cilët kërkuan shpjegime për përzgjedhjen e kësaj kënge në një aktivitet të organizuar nga institucionet evropiane.
Më pas, muzikanti slloven Marko Hatlak, pjesë e grupit Kapobanda që interpretoi melodinë, kërkoi falje përmes rrjeteve sociale. Ai e cilësoi përzgjedhjen si një gabim të paqëllimshëm, duke thënë se nuk kishte qenë në dijeni të kontekstit historik dhe politik të këngës.
Megjithatë, ekspertja e çështjeve evropiane Donika Emini ka shprehur dyshime se bëhej fjalë thjesht për pakujdesi. Në një prononcim për Radio Evropa e Lirë, ajo theksoi se organizatorët duhet të kishin treguar më shumë vëmendje ndaj ndjeshmërive historike dhe politike të rajonit.
Sipas Eminit, incidenti mund të ndikojë negativisht në marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Brukselit, si dhe në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, i cili prej vitesh përballet me vështirësi. Kosova nuk mori pjesë në aktivitetin e organizuar në Bruksel.