Kosova
Drecun, pa fakte, përsërit narrativa dezinformuese kundër Kosovës
Kryetari i Komisionit për Mbrojtje dhe Punë të Brendshme të Parlamentit të Serbisë, Milovan Drecun, ka bërë një sërë deklaratash pa paraqitur fakte ose prova, duke përsëritur narrativat e njohura të propagandës zyrtare serbe kundër institucioneve të Kosovës.
Duke komentuar moslejimin e ekipit për Kosova Online dhe RTS për të raportuar nga seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, Drecun pohoi se ky veprim përbën “ngacmim të popullit serb” nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
“Ky është vetëm një vazhdim i qëllimit të Kurtit për t’i shkaktuar dëm maksimal popullit serb. Ju shkaktoni dëm edhe kur i pengoni mediat serbe të raportojnë për takimet. Nuk shoh ndonjë nevojë praktike për këtë përveç ngacmimit”, tha Drecun.
Megjithatë, ai nuk dha asnjë provë për të mbështetur këtë pretendim.
Për të raportuar nga Kuvendi i Kosovës, të gjithë gazetarët dhe kameramanët duhet të jenë të akredituar.
Në deklaratat e tij, Drecun përdori edhe termin “shtet i rremë” për Kosovën, një formulim që pasqyron qëndrimin zyrtar të Serbisë, por që bie ndesh me realitetin ndërkombëtar, pasi Republika e Kosovës është një shtet i njohur nga mbi 120 vende dhe anëtar i organizatave të ndryshme ndërkombëtare.
Ai gjithashtu pretendoi, pa dhënë prova, se institucionet e Kosovës po përpiqen ta “margjinalizojnë” Listën Serbe dhe se procedurat e Prokurorisë kundër disa prej anëtarëve të saj janë të motivuara politikisht.
Këto akuza nuk u shoqëruan me asnjë fakt apo dokument që do të mbështeste pretendimet për ndërhyrje politike në proceset hetimore.
Drecun shkoi edhe më tej, duke e përshkruar politikën e institucioneve të Kosovës si “terror kundër serbëve”, një akuzë serioze që nuk mbështetej nga prova konkrete.
Ai gjithashtu pohoi se Bashkimi Evropian e ka “pranuar” këtë situatë dhe se administrata amerikane do të ushtrojë presion më të madh mbi Prishtinën, pa iu referuar ndonjë deklarate apo dokumenti zyrtar për të konfirmuar këtë vlerësim.
Një pjesë e konsiderueshme e deklaratave të Drecunit mbështeteshin në spekulime politike, interpretime personale dhe rrëfime të përsëritura nga zyrtarët serbë, pa ofruar fakte të verifikueshme për t’i mbështetur ato.