Aktualitet
Beteja me flakët në Krujë/ Ministria e Mbrojtjes: Mbi 400 forca u angazhuan gjatë natës
Zjarri në malin e Krujës është vënë plotësisht nën kontroll që prej orës 06:00 të mëngjesit, pas një operacioni të gjerë për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Pjesa e mbetur e zjarrit në majë të malit po menaxhohet nga ajri, me ndihmën e dy helikopterëve të Forcës Ajrore.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes në operacion u angazhuan mbi 200 efektivë zjarrfikës dhe mbi 200 efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët punuan gjatë gjithë natës në të gjithë perimetrin e zonës së prekur.
Pas përmirësimit të situatës, pjesa më e madhe e forcave është rishpërndarë.
Nga zjarri është dëmtuar një godinë, e cila shërbente si magazinë e një biznesi. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar dhe asnjë banesë nuk është përfshirë nga flakët.
Autoritetet vijojnë monitorimin e zonës për të parandaluar riaktivizimin e vatrave të zjarrit.