Aktualitet
Masa të ashpra për të parandaluar aksidentet/ Radarë, gjoba dhe pezullime, kodi i ri rrugor
Ndryshimet e reja në Kodin Rrugor kanë sjellë masa më të forta administrative dhe penalizuese për drejtuesit e mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit.
Një nga masat e reja parashikon që personat që drejtojnë automjetin pa leje drejtimi të mos kenë të drejtë të pajisen me patentë deri në një vit. Për drejtuesit e mitur, kjo periudhë mund të shkojë deri në dy vjet.
Drejtori i Policisë Rrugore, Perlat Vatoci, ka bërë të ditura disa prej ndryshimeve kryesore, duke theksuar se janë rritur masat ndaj drejtuesve që përsërisin shkeljet, veçanërisht në rastet e drejtimit nën efektin e alkoolit.
Sipas tij, drejtuesit që rezultojnë me mbi 0.5 gram alkool për litër gjak dhe që janë ndëshkuar më parë për drejtim në gjendje të dehur, mund të përballen me heqjen e përhershme të lejes së drejtimit.
Ndryshime të tjera lidhen me manovrat e rrezikshme, ndryshimet e korsisë pa sinjalizim dhe sjelljet që rrezikojnë përdoruesit e tjerë të rrugës. Për këto shkelje, gjobat variojnë nga 20 mijë deri në 60 mijë lekë.
Një nga zonat ku është shtuar monitorimi është aksi pranë rrethrrotullimit të TEG-ut, ku numri i radarëve lëvizës është rritur nga tre në pesë për evidentimin e tejkalimeve të shpejtësisë dhe manovrave të rrezikshme.
Masat e reja prekin edhe përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të mjeteve të ndryshme. Për drejtuesit e automjeteve, patenta mund të pezullohet nëse konstatohet shkelja dy herë brenda një viti për përdorimin e telefonit gjatë drejtimit.
Kufizime të veçanta parashikohen edhe për drejtuesit e rinj që kanë marrë patentën gjatë 24 muajve të fundit, veçanërisht për shpejtësinë dhe konsumimin e alkoolit.
Ndërkohë, për tejkalimet e konsiderueshme të shpejtësisë, masat mund të shkojnë përtej gjobave. Në rastet kur shpejtësia tejkalohet me të paktën 30 km/h mbi kufirin e lejuar, mund të aplikohet pezullimi i patentës, ndërsa në raste më të rënda edhe heqja e saj.
Policia Rrugore deklaron se synimi i ndryshimeve është ulja e numrit të shkeljeve dhe parandalimi i aksidenteve, duke u bërë apel drejtuesve të respektojnë kufijtë e shpejtësisë, të mos përdorin telefonin gjatë drejtimit dhe të mos drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit.