Connect with us

Aktualitet

Flakët në vend nuk ndalen/ 5 vatra aktive, ushtria angazhohet për shuarjen e zjarreve

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur situatën më të fundit të zjarreve në vend, duke raportuar 10 vatra të evidentuara deri në orën 14:00. Nga këto, pesë vijojnë të jenë aktive, ndërsa katër të tjera janë nën monitorim.

Në operacionet për kontrollin dhe shuarjen e zjarreve janë angazhuar 21 automjete zjarrfikëse, 153 forca operacionale, si dhe 125 efektivë të Forcave të Armatosura. Në mbështetje të ndërhyrjeve janë vënë edhe dy helikopterë të Forcës Ajrore.

Në Krujë, vatra në zonën e Abazes vijon të jetë aktive, por sipas autoriteteve nuk paraqet rrezik për banesat. Ndërkohë, në Krastë zjarri ka rritur intensitetin dhe është përhapur në një sipërfaqe pyjore, ku po ndërhyjnë forcat vendore, efektivë të ushtrisë dhe një helikopter.

Operacionet vijojnë edhe në Priskë të Madhe, ku në terren janë angazhuar mjete zjarrfikëse, forca të MZSH-së dhe një helikopter. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Vatra aktive janë raportuar gjithashtu në malin e Nemëçkës në Përmet dhe në zonën Goraj–Budishë në Malësinë e Madhe. Autoritetet bëjnë me dije se terrenet janë të vështira, por aktualisht nuk ka kërcënim për banesat.

Ndërkohë, disa vatra të tjera janë shuar plotësisht. Zjarri në Vilëz të Kurbinit u neutralizua pas ndërhyrjes së forcave vendore dhe efektivëve të Forcave të Armatosura. Po ashtu janë shuar zjarret në Cikallesh të Kavajës, në zonën Riban–Ngraçan–Panahor–Çyçen në Mallakastër dhe në Drenie të Patosit.

Situata në zonën e Dajtit vijon të mbahet nën monitorim.

Ministria e Mbrojtjes deklaron se aktualisht nuk ka rrezik të drejtpërdrejtë për zonat e banuara, ndërsa operacionet për kontrollin e vatrave aktive vijojnë.

Advertisement