Bota
Jemi në fazën zero/ Rusia dhe Kina ndryshojnë llogaritë e Pentagonit
Profesori amerikan Andrew Michta ka ngritur alarmin për gjendjen e sigurisë në Perëndim, duke paralajmëruar se dobësimi i industrisë së mbrojtjes dhe mungesa e investimeve në kapacitetet ushtarake mund të krijojnë pasoja serioze për ekuilibrin strategjik.
Në pjesën e dytë të intervistës për Defence24, Michta u ndal te zhvillimet në Lindjen e Mesme, ndikimi i konfliktit me Iranin në politikën amerikane, rezervat e municioneve të Shteteve të Bashkuara dhe ndryshimet që po pëson doktrina ushtarake amerikane.
Sipas tij, konflikti në Lindjen e Mesme po krijon presion të konsiderueshëm mbi administratën e Donald Trump, ndërsa zhvillimet politike në SHBA dhe afrimi i zgjedhjeve e bëjnë situatën edhe më të ndërlikuar.
Michta argumenton se lufta me Iranin po konsumon një pjesë të kapaciteteve amerikane, veçanërisht municionet dhe sistemet e mbrojtjes ajrore. Kjo, sipas tij, mund të ndikojë në aftësinë e SHBA-së për të ruajtur njëkohësisht praninë dhe gatishmërinë ushtarake në rajone të tjera strategjike, përfshirë Evropën dhe Paqësorin.
Në këtë kuadër, profesori amerikan e konsideron rritjen e buxhetit amerikan të mbrojtjes në 1.5 trilion dollarë si një hap të nevojshëm, por që sipas tij vjen pas vitesh investimesh të pamjaftueshme.
Një tjetër element që po ndryshon mënyrën e zhvillimit të luftës është përdorimi masiv i dronëve. Michta thekson se fushëbeteja moderne është bërë shumë më transparente, duke e bërë lëvizjen e trupave dhe mjeteve ushtarake më të rrezikshme.
Në këto kushte, sipas tij, ushtritë nuk mund të mbështeten vetëm te prodhimi i më shumë raketave interceptuese. Një rol vendimtar do të ketë lufta elektronike, e cila mund të përdoret për të ndërprerë komunikimet dhe sistemet e drejtimit të dronëve dhe për t’u rikthyer forcave tokësore një pjesë të lëvizshmërisë në terren.
Michta e sheh si një problem serioz edhe dobësimin e bazës industriale të mbrojtjes në vendet perëndimore. Për vite me radhë, kapacitetet e prodhimit janë reduktuar, ndërsa janë humbur linja prodhimi dhe ekspertizë teknike. Rindërtimi i këtyre kapaciteteve, sipas tij, nuk mund të bëhet brenda një kohe të shkurtër.
Profesori amerikan paralajmëron se Perëndimi ndodhet në një moment kritik dhe se vendet e NATO-s, veçanërisht ato në krahun lindor, duhet të kalojnë nga deklaratat politike te investimet konkrete në mbrojtje.
Një tjetër shqetësim lidhet me doktrinën bërthamore amerikane. Sipas Michtas, Shtetet e Bashkuara po përballen me një realitet strategjik të ndryshëm nga ai i dekadave të mëparshme, pasi duhet të marrin në konsideratë njëkohësisht fuqinë bërthamore të Rusisë dhe Kinës, si dhe kërcënimin që paraqet Koreja e Veriut.
Në këtë situatë, modernizimi i triadës bërthamore amerikane shihet si një domosdoshmëri, ndërsa aftësitë konvencionale, mbrojtja kibernetike, lufta elektronike dhe parandalimi bërthamor po ndërthuren gjithnjë e më shumë në një arkitekturë të vetme strategjike.
Në përfundim, mesazhi i Michtas është se sfida për Perëndimin nuk kufizohet vetëm te kundërshtarët e tij. Problemi është edhe rikthimi i kapaciteteve industriale dhe ushtarake që janë dobësuar gjatë viteve. Sipas tij, vonesa në rindërtimin e këtyre kapaciteteve mund ta bëjë shumë më të kushtueshëm ruajtjen e ekuilibrit strategjik në të ardhmen.