Connect with us

Kronike

“Do t’ju shuaj si familje”/ Vrau prinderit e ish te fejuares dhe veten, Rozalinda zbulon biseden me Refit Buzin

Detaje tronditëse dalin nga dosja hetimore për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Fier në muajin korrik, ku Refit Buzi vrau me armë zjarri prindërit e ish-të fejuarës së tij dhe më pas e mori atë peng për disa orë, përpara se të vriste veten.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të siguruar nga gazetarja Anila Hoxha, konflikti mes çiftit kishte nisur pas ndarjes së tyre, ndërsa Buzi kishte insistuar vazhdimisht për rikthimin e marrëdhënies, pavarësisht refuzimit të 23-vjeçares.

E reja e kishte denoncuar më herët për përndjekje dhe ndaj tij ishte vendosur një Urdhër Mbrojtjeje. Buzi kishte vuajtur edhe disa muaj burg, por sipas hetimeve, menjëherë pas daljes nga qelia, më 19 mars, ai kishte nisur sërish kontaktet me ish-partneren.

Në kallëzimin e saj të 22 prillit, 23-vjeçarja ka rrëfyer se ish-i fejuari i dilte vazhdimisht përpara pranë Urgjencës së Spitalit Rajonal të Fierit, ku ajo kryente praktikën si infermiere, si dhe në ambiente të tjera që ajo frekuentonte.

Në një prej rasteve, sipas dëshmisë së saj, Buzi e kishte marrë në automjet dhe e kishte çuar drejt një hoteli në Novoselë. Kur ajo refuzoi të zbriste, ai e kishte kërcënuar me vetëflijim dhe i kishte kërkuar të rikthehej me të.

Më tej, sipas dosjes, ai i kishte vendosur disa kushte, duke i bërë të qartë se nuk do ta pranonte ndarjen. Në rast se ajo nuk pranonte rikthimin, ai kishte kërcënuar se do t’i zhdukte familjen dhe se do të vriste prindërit e saj.

Nëna e 23-vjeçares kishte kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të institucioneve, duke deklaruar se sjellja e ish-të fejuarit po dëmtonte rëndë jetën, shëndetin dhe arsimimin e vajzës së saj.

Edhe pas ndalimit të tij, Buzi kishte pranuar para hetuesve se e kishte kontaktuar ish-partneren, pavarësisht se e dinte për ekzistencën e Urdhrit të Mbrojtjes. Sipas deklarimit të tij, ai e kishte bërë këtë sepse ende e donte dhe dëshironte të rikthehej me të.

Pas denoncimit të radhës, Policia e Fierit e kishte arrestuar sërish, ndërsa gjatë hetimeve u sekuestruan telefonat celularë të të dyja palëve. Në to, sipas dosjes, u gjetën dhjetëra mesazhe, telefonata dhe mesazhe zanore me përmbajtje kërcënuese dhe fyese.

Pavarësisht denoncimeve, urdhrit të mbrojtjes dhe arrestimit të mëparshëm, përndjekja vijoi deri në ngjarjen tragjike të korrikut, kur konflikti përfundoi me vrasjen e dy prindërve të ish-të fejuarës dhe pengmarrjen e saj.

Advertisement