Connect with us

Shkrime

Trump kthehet në bumerang/ Analiza: Marrëdhënia me Kushnerin po i kushton shtrenjtë Edi Ramës

Një analizë ndërkombëtare e publikuar nga Jan-Werner Müller, profesor i politikës në Universitetin Princeton, ngre një tezë të fortë për zhvillimet politike në Shqipëri: Donald Trump, ndonëse pa dashje, mund të jetë duke i dhënë një shtysë të re demokracisë dhe protestave kundër korrupsionit.

Në fokus të analizës janë protestat e njohura si “Revolucioni i Flamingove”, që prej muajsh kanë nxjerrë qytetarë në rrugët e Tiranës, me kërkesa kundër korrupsionit dhe kundër qeverisjes së Edi Ramës.

Sipas autorit, shkëndija e protestave lidhet me projektet e Jared Kushner në Shqipëri dhe me marrëdhënien e afërt mes familjes së presidentit amerikan dhe qeverisë shqiptare.

Müller argumenton se pikërisht kjo lidhje ka krijuar një efekt të papritur: çdo marrëveshje e ngushtë me administratën Trump po bëhet më e ekspozuar ndaj akuzave dhe dyshimeve për korrupsion.

Në analizë thuhet se protestuesit shqiptarë nuk janë kundër Shteteve të Bashkuara. Përkundrazi, prania e flamujve amerikanë në protestat e Tiranës shihet si një mesazh se zemërimi është i drejtuar ndaj mungesës së transparencës dhe korrupsionit, dhe jo ndaj Amerikës.

Autori e lidh këtë situatë me marrëdhëniet e Trumpit me liderë të ndryshëm të botës, duke argumentuar se mbështetja apo afrimi me administratën amerikane mund të jetë kthyer në një “bekim të përzier” për qeveritë që përballen me pakënaqësi të brendshme.

Në rastin e Shqipërisë, protesta nuk është fokusuar vetëm te Edi Rama. Demonstruesit kanë goditur edhe opozitën dhe liderin e saj, Sali Berisha, duke e shprehur këtë me sloganin:

“Rama në burg, Berisha në burg.”

Sipas analizës, kjo tregon se pakënaqësia po shkon përtej një konflikti të zakonshëm mes mazhorancës dhe opozitës dhe po prek të gjithë klasën politike shqiptare.

Një tjetër pikë e fortë e analizës është raporti i Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Autori ngre shqetësimin se marrëveshje të mëdha ekonomike dhe investime të lidhura me figura të fuqishme ndërkombëtare mund të përplasen me standardet dhe rregullat që Shqipëria duhet të përmbushë në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Ndërkohë, vetë Edi Rama ka argumentuar se pa përfshirjen e Jared Kushner në projektet në Shqipëri, protesta nuk do të kishte marrë të njëjtën vëmendje ndërkombëtare.

Por analiza e Müller e përmbys këtë argument.

Sipas tij, pikërisht lidhja me Trump dhe rrethi i tij po e kthen Shqipërinë në një rast ndërkombëtar të debatit mbi korrupsionin, transparencën dhe demokracinë.

Dhe përfundimi i analizës është edhe më i fortë: autokratët mund të kenë sot një problem të ri – mikun e tyre më të mirë.

Advertisement