Aktualitet
Panik në Qafën e Kalasë! Autobusi me 52 turistë merr flakë, shpëtojnë në sekondat e fundit
Një autobus i mbushur me turistë të huaj ka marrë flakë mesditën e sotme në Qafën e Kalasë së Beratit, duke shkaktuar panik te pasagjerët që ndodheshin në bord.
Autobusi po ngjitej drejt Kalasë së Beratit kur në pjesën e përparme, pranë motorit, u konstatuan shkëndijat e para.
Drejtuesi i mjetit reagoi menjëherë duke ndaluar, ndërsa 52 pasagjerët, mes tyre edhe fëmijë, zbritën nga autobusi.
Fatmirësisht, të gjithë turistët kanë mundur të dalin në kohë dhe nuk raportohet për persona të lënduar.
Pak çaste më pas, flakët u përhapën në pjesën e brendshme të autobusit, duke e shkrumbuar plotësisht. Zjarri përfshiu gjithashtu edhe një automjet tip “Benz” fuoristradë, i cili ishte i parkuar pranë një banese. Pronari nuk ka mundur ta largojë mjetin në kohë.
Në vendngjarje mbërritën forcat zjarrfikëse dhe shërbimet e Policisë, të cilat ndërhynë për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Paraprakisht dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një shkëndijë elektrike në pjesën e motorit, ndërsa grupi hetimor po punon për përcaktimin e saktë të shkaqeve.
Drejtuesi i autobusit, Ervis Dyrmani, nga Durrësi, është shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje. Ndërkohë, autoritetet nuk kanë konfirmuar ende kombësinë e turistëve që ndodheshin në autobus.