Shkrime
KOMBI PO DOBESOHET/ FUGA NGRE ALARMIN PER SHQIPERINE E KOSOVEN
Në pamje të parë, Shqipëria dhe Kosova duken sikur po jetojnë dy realitete politike krejt të kundërta: në Shqipëri, pavarësisht krizave, skandaleve, protestave apo akuzave për korrupsion, zgjedhjet e parakohshme mbeten pothuajse të paimagjinueshme; në Kosovë, përplasjet institucionale kanë prodhuar zgjedhje njëra pas tjetrës.
Por për akademikun Artan Fuga, ky kontrast është vetëm në sipërfaqe. Poshtë tij, sipas Fugës, qëndron i njëjti problem: bllokimi i sistemit politik dhe dobësimi i funksionimit të institucioneve.
Kosova ka zhvilluar tashmë tre zgjedhje parlamentare brenda rreth 18 muajsh, ndërsa kriza politike nuk është zgjidhur; edhe pas zgjedhjeve të 7 qershorit, Vetëvendosje doli forcë e parë, por pa shumicën e nevojshme për t’i dhënë fund ngërçit.
Fuga e përmbledh dallimin me një krahasim të fortë: në Shqipëri, sipas tij, politika “nuk lëviz nga istikami”, ndërsa në Kosovë institucionet futen vazhdimisht në ciklin “bëhem–prishem” të zgjedhjeve.
Sipas akademikut, në Shqipëri deputetët nuk pranojnë të vënë në diskutim mandatet e tyre edhe kur Kuvendi përfshihet nga kriza të forta politike, ndërsa në Kosovë palët nuk lëshojnë pe për çështjen e Presidentit. Rezultati, argumenton ai, është i ngjashëm: institucionet mbeten të bllokuara, vetëm se pika ku ndodh bllokimi ndryshon.
Fuga ngre gjithashtu një problem tjetër të fortë: përqendrimin e pushtetit.
Në Shqipëri, thotë ai, kryeministri akuzohet se ka marrë nën kontroll thuajse të gjitha pushtetet, ndërsa në Kosovë opozita akuzon kryeministrin se kërkon të kontrollojë edhe Presidencën.
Në këtë pikë Fuga shkon edhe më tej, duke e parë problemin si krizë të vetë ndarjes së pushteteve dhe të modelit politik që është krijuar në të dyja anët e kufirit.
«“Kontrasti institucional Shqipëri–Kosovë është një dukje. Ne shqiptarët jemi në krizë politike të zgjatur.”»
Për Fugën, në diskutim nuk është thjesht se kush qeveris sot apo kush do të zgjidhet nesër. Në “tavë”, siç shprehet ai, janë legjitimiteti, funksionaliteti dhe dinamika e vetë pushtetit.
Dhe përfundimi i tij është edhe më i rëndë:
“E gjitha është bllokim, ngurtësim, ngrirje! Pushteti bllokon shoqërinë!”
Akademiku shton se problemi kërkon një diskutim shumë më të thellë mbi sistemin politik dhe pyet pse Shqipëria dhe shqiptarët kanë përfunduar në atë që ai e quan “republikë kryeministrore”, ku ekuilibrat institucionalë dobësohen dhe vendimmarrja përqendrohet gjithnjë e më shumë.
Por Fuga prek edhe një tjetër plagë: ftohjen politike mes Tiranës dhe Prishtinës.
Sipas tij, ndërsa të dy vendet vuajnë krizat e tyre të brendshme, klasat politike nuk po reflektojnë seriozisht as për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës.
“As në Shqipëri nuk thonë: si jemi ftohur kështu me Kosovën; as në Kosovë nuk dëgjohen të thonë: more, si jemi bërë si krushq të ngrirë me Shqipërinë!”, shkruan Fuga.
Mesazhi përfundimtar i akademikut është alarmues: ndërsa politika ngurtësohet dhe institucionet konsumohen në beteja pushteti, koston e paguan shoqëria dhe, sipas tij, “kombi sfilitet, shkrihet, dobësohet”.