Bota
ALARM NË EVROPË/ IRANI SHQYRTON GODITJEN E OBJEKTIVAVE AMERIKANE, NË SHËNJESTË BAZA USHTARAKE
Lufta mes SHBA-së dhe Iranit rrezvikon të kapërcejë kufijtë e Lindjes së Mesme dhe të afrohet drejtpërdrejt me Evropën. Teherani po shqyrton skenarë për goditjen e objektivave ushtarake amerikane në territorin evropian, nëse Uashingtoni vendos të përshkallëzojë sërish konfliktin.
Skenari alarmues raportohet nga Financial Times, duke iu referuar burimeve pranë Teheranit. Mes objektivave që po merren në konsideratë përmenden instalime ushtarake në Bullgari dhe Qipro, vende që kanë rëndësi strategjike për operacionet amerikane dhe britanike në rajon.
Në Bullgari, vëmendja është përqendruar te baza ajrore Bezmer, ku autoritetet kanë lejuar vendosjen e përkohshme të avionëve amerikanë furnizues KC-135 dhe personelit mbështetës. Qiproja, ndërkohë, strehon baza britanike me rëndësi të madhe strategjike. Teherani ka paralajmëruar më herët vendet evropiane për pasojat e përdorimit të territorit të tyre në operacione kundër Iranit.
Por kërcënimi nuk ndalet vetëm te bazat ushtarake. Sipas raportimit, në skenarët iranianë përfshihet edhe mundësia e goditjes së infrastrukturës nënujore dhe kabllove të fibrave optike në Ngushticën e Hormuzit, një pikë nevralgjike jo vetëm për energjinë, por edhe për komunikimet ndërkombëtare.
Situata bëhet edhe më serioze në një moment kur përpjekjet diplomatike janë futur në ngërç. Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi më 18 gusht se aktualisht nuk ka negociata të planifikuara me Iranin, ndërsa Teherani ka kaluar, sipas një zyrtari iranian të cituar nga Reuters, në një qëndrim ushtarak “plotësisht ofensiv” pas përfundimit të armëpushimit të përkohshëm.
Megjithatë, duhet bërë një dallim thelbësor: nuk ka konfirmim se Irani ka marrë vendimin për të sulmuar Evropën. Aktualisht bëhet fjalë për skenarë ushtarakë dhe paralajmërime të raportuara nga burime iraniane. Edhe ekspertët vlerësojnë se një sulm i drejtpërdrejtë ndaj territorit të një vendi të NATO-s do të përbënte një përshkallëzim ekstrem dhe do të mund të sillte pasoja shumë më të gjera për Teheranin.
Por sinjali është i qartë: nëse konflikti SHBA–Iran hyn sërish në një fazë të hapur, për herë të parë objektivat amerikane në Evropë po përmenden seriozisht si pjesë e skenarëve të hakmarrjes iraniane.
#Iran #SHBA #Europe #NATO #Trump #Teheran #Lufta #BreakingNews