Aktualitet
Pamje dramatike nga zjarret/ Ministri i Mbrojtjes: Jemi krah banorëve
Një betejë e vështirë me flakët është zhvilluar gjatë natës në tre zona të vendit, ndërsa zjarrfikësit dhe Forcat e Armatosura kanë vijuar operacionet për vënien nën kontroll të vatrave të zjarrit.
Pamjet e publikuara nga ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, tregojnë zjarrfikësit në terrene të thepisura në Milot të Kurbinit, teksa përballen njëkohësisht me disa vatra zjarri.
Situatë e vështirë është raportuar edhe në Gojan të Pukës, ku helikopterët zjarrfikës janë furnizuar me ujë dhe më pas kanë ndërhyrë nga ajri mbi masivin e përfshirë nga flakët.
Në Dukat të Vlorës, ndërkohë, avioni zjarrfikës ka vijuar operacionin ajror për të ndihmuar në vënien nën kontroll të zjarrit.
Krahas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, ministri i Mbrojtjes ka dhënë edhe një përditësim mbi situatën, duke bërë të ditur se gjatë natës efektivët e Forcës Tokësore kanë vijuar operacionet në Milot, Pukë dhe Vlorë, në mbështetje të komuniteteve dhe strukturave vendore.
Sipas ministrit, gjatë ditës së sotme në terren janë angazhuar 252 efektivë të Forcave të Armatosura, së bashku me mjete dhe kapacitete ajrore.
“Forcat e Armatosura, të angazhuar intensivisht dhe krah komuniteteve në përballimin e situatave të zjarreve. Gjatë natës që lamë pas, efektivët e Forcës Tokësore vijuan operacionet në Milot, Pukë dhe Vlorë, në mbështetje të komuniteteve dhe strukturave vendore. Sot, 252 efektivë të Forcave të Armatosura janë të angazhuar në terren, me mjete dhe kapacitete ajrore”, ka deklaruar ministri Nufi.
Operacionet vijojnë në terren, ndërsa strukturat e emergjencave po punojnë për izolimin e vatrave dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të flakëve.