Bota
Kievi merr armën sekrete të Europës/ Teknologjia ‘Storm Shadow’ në qëndër të përplasjes
Mbështetja europiane për Ukrainën po kalon në një fazë të re. Fokusi nuk është më vetëm te dërgimi i armëve, por edhe te transferimi i teknologjisë dhe krijimi i kapaciteteve që Kievi t’i zhvillojë dhe prodhojë vetë.
Në qendër të këtij zhvillimi janë raketat “Storm Shadow”. Britania ka dhënë dritën jeshile për ndarjen e teknologjisë me Ukrainën, ndërsa industria britanike dhe ajo franceze pritet të bashkëpunojnë me kompanitë ukrainase për zhvillimin e kapaciteteve me rreze të gjatë.
Ky është një ndryshim i rëndësishëm në strategjinë e mbështetjes: Ukraina synon të kalojë nga marrja e raketave të prodhuara jashtë vendit, te zhvillimi i teknologjisë dhe prodhimit të saj në territorin ukrainas.
Në të njëjtën kohë, Franca po kërkon përshpejtimin e furnizimit të Kievit me raketa për mbrojtjen ajrore.
Presidenti Emmanuel Macron paralajmëroi se Rusia mund të rrisë presionin ndaj vendeve europiane që mbështesin Ukrainën, duke kërkuar nga NATO një qëndrim të vendosur përballë çdo përshkallëzimi.
Përplasja nuk po zhvillohet vetëm në fushën e betejës. Europa po forcon edhe presionin ekonomik ndaj Moskës.
Britania dhe vendet europiane kërkojnë masa më të forta kundër rrjeteve të furnizimit të industrisë ushtarake ruse dhe ndaj të ashtuquajturës “flotë në hije”, përmes së cilës Rusia përpiqet të shmangë sanksionet.
Italia ka mbështetur forcimin e regjimit të sanksioneve dhe ka konfirmuar vijimin e ndihmës humanitare për Ukrainën, përfshirë furnizimin me gjeneratorë përpara dimrit.
Kështu, mbështetja europiane për Kievin po zhvillohet në tre fronte: teknologji ushtarake, mbrojtje ajrore dhe presion ekonomik ndaj Rusisë.
Por pesha më e madhe strategjike mbetet transferimi i teknologjisë “Storm Shadow”.
Sepse Ukraina nuk po kërkon vetëm më shumë raketa. Po kërkon kapacitetin për t’i zhvilluar dhe prodhuar vetë.
