Connect with us

Kosova

Shpërthime nga brenda, refuzohet presidenti, Abdixhiku presion deputetëve: Dorëzoni mandatet

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka ashpërsuar tonet ndaj deputetëve të partisë që nuk mbështesin vendimin e organeve të LDK-së për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës.

Abdixhiku paralajmëroi pasoja për ata që do të dalin kundër vendimit të Kryesisë dhe organeve të partisë, duke e bërë të qartë se përgjegjësia, sipas tij, nuk duhet të ndalet vetëm te masat disiplinore.

“Kushdo që nuk respekton vendimin e kryesisë dhe organeve të LDK-së, më së paku duhet të dorëzojë mandatin e deputetit”, deklaroi Abdixhiku.

Kreu i LDK-së tha se për momentin shqetësimi i tij kryesor nuk janë masat që mund të merren brenda partisë, por pasojat që kjo përplasje politike mund t’i sjellë Kosovës.

Abdixhiku kundërshtoi gjithashtu mundësinë e një tjetër palë zgjedhjesh, duke argumentuar se tashmë ekziston një marrëveshje politike dhe një kandidaturë për president, e cila, sipas tij, gëzon respekt të gjerë.

Ai theksoi se LDK-ja ka bërë kompromis të madh për të shmangur një tjetër krizë institucionale.

“LDK-ja e ka kapërcyer edhe veten”, tha Abdixhiku, duke nënvizuar se partia nuk ka kërkuar asgjë për vete, me synimin që Kosova të ketë një president të denjë.

Por problemi nuk ndodhet vetëm brenda LDK-së.

Edhe dy partitë kryesore opozitare, PDK dhe AAK, kanë konfirmuar se nuk do ta mbështesin Bekim Sejdiun.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se partia e tij nuk është pjesë e marrëveshjes mes LVV-së dhe LDK-së dhe nuk do të votojë kandidatin për President.

Hamza theksoi se një President duhet të jetë figurë unifikuese dhe se, deri tani, nuk ka pasur komunikim me Sejdiun.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbajtur të njëjtin qëndrim.

Kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, deklaroi se partia e tij nuk ka asnjë detyrim ndaj marrëveshjes së arritur mes dy partive të tjera dhe akuzoi palët politike se po rrezikojnë ta çojnë vendin sërish në zgjedhje.

Kandidatura e Bekim Sejdiut u dakordësua nga LVV dhe LDK më 31 gusht, si përpjekje për të zhbllokuar krizën politike pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

Por marrëveshja që duhej të sillte një zgjidhje, tashmë po përballet me një pengesë të re: mungesën e konsensusit brenda dhe jashtë LDK-së.

Për zgjedhjen e Presidentit nevojiten 61 vota, ndërsa në sallë duhet të jenë të pranishëm të paktën 80 deputetë në momentin e votimit.

Kjo e bën çdo votë vendimtare.

Nëse procesi dështon dhe institucionet nuk arrijnë të zhbllokohen, Kosova mund të përballet me një tjetër cikël zgjedhor.

Pra, ajo që nisi si një marrëveshje për të mbyllur krizën politike, tashmë rrezikon të hapë një kapitull të ri të saj.

Në Prishtinë, beteja nuk është më vetëm për emrin e Presidentit. Është për të ardhmen e institucioneve dhe për të shmangur zgjedhjet e radhës.

 

 

Advertisement