Connect with us

Shkrime

Trondit analisti/ Veliaj do dalë nga qelia, Bushati zbulon skenarin: Bomba plas më 15 shtator

Në një moment kur protestat kundër qeverisë po shprehin zemërimin e qytetarëve ndaj korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin, Andi Bushati ngre një pyetje të fortë: çfarë do të ndodhë nëse Erion Veliaj del nga burgu?

Sipas Bushatit, Veliaj po ndërton një strategji për të dëshmuar se mbetet i domosdoshëm për drejtimin e Bashkisë së Tiranës. Ai kujton lëvizjet e fundit të kryebashkiakut, përfshirë heqjen e delegimit nga nënkryetarja Anuela Ristani dhe ndryshimet në administratën e bashkisë.

Por, sipas autorit, pikëpyetja më e madhe lidhet me qëndrimin e Edi Ramës.

Bushati vëren ndryshimin e papritur të kryeministrit ndaj Veliajt: nga kritikat dhe përpjekjet për ta larguar politikisht, te mbështetja për pretendimin e tij se duhet të vazhdojë të drejtojë bashkinë edhe nga qelia.

Autori e lidh këtë ndryshim me mundësinë e një “pakti të ri” mes Ramës dhe Veliajt, duke iu referuar edhe takimit në Lundër mes kryeministrit dhe avokatit të kryebashkiakut.

Por pyetja që Bushati ngre është edhe më e rëndë:

Çfarë ndodh nëse Veliaj arrin të dalë nga burgu dhe të rikthehet në zyrë?

Sipas tij, një skenar i tillë do të godiste rëndë besimin te reforma në drejtësi dhe te pavarësia e institucioneve të reja të drejtësisë.

Bushati argumenton se, nëse pas çështjeve të inceneratorëve, koncesioneve në shëndetësi dhe hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë drejtësia do të lejonte edhe rikthimin e Veliajt në detyrë, atëherë për shumë qytetarë do të shembej përfundimisht iluzioni se drejtësia është e pavarur nga politika.

Në fund, autori e sheh edhe një skenar të tillë si një pikë kthese: nëse “përralla e drejtësisë së re” do të shembej, sipas tij, protesta qytetare do të përballej drejtpërdrejt me pushtetin, pa institucionet ndërmjetëse që deri tani kanë shërbyer si barriera.

Pyetja mbetet: nëse Veliaj del nga burgu, a do të jetë ky fundi i besimit te drejtësia e re?

SHKRIMI I PLOTE

Andi Bushati

Deri këtu lëvizjet janë të qarta. Në prag të procesit Veliaj mëton të tregojë se puna e tij është e domosdoshme për të kryesuar administratën lokale të Tiranës dhe se çdo kundërvënie e gjykatës ndaj këtij realiteti do të ishte një dëm ndaj interesit publik dhe ndaj qytetarëve.

Por, ndërsa kjo strategji mund të qe e pritshme, ajo që ka ndryshuar rrënjësisht është sjellja e kryeministrit Rama. Menjëherë sapo Lali bëri lëvizjet e para për të kontrolluar Bashkinë shefi i tij e mbështeti. Me një deklaratë nga zyra e qeverisë bëhej e qartë se kjo ishte një e drejtë e tij dhe u përmend shkaras interesi i qytetarëve për të pasur në krye të punëve ‘të përzgjedhurin prej tyre”.

Pyetja është pse Rama ia përplasi në fytyrë, herën e parë kur ai e shkarkoi Ristanin nga burgu, ndërsa këtë radhë ia legjitimoi? Pse Veliaj ia hoqi tani delegimin zvvendëses së tij, për “mëkate”, që siç e përmend dhe vetë, datonin shumë kohë më parë? Pse nuk veproi menjëhetë kur kushtetuesja e la në detyrë, ndonëse Rama pati firmosur për ta shkarkuar? Po kryeministri, pse ndryshoi nga e bardha në të zezë dhe nga shakrkimi, thirrja për të mos protestuar pro Lalit, eleminimi i njerëzve të tij nga grupi parlamentar, u shndërrua papritmas në mbështetës të kryetarit “të zgjedhur me votë”?

E vetmja përgjigje logjike për këto pikëpyetje gjendet te një pakt i ri mes tyre, në prag të procesit për shqyrtimin e masës së arrestit të kryebashkiakut. Këtë pandehmë e vërteton edhe takimi i fundit në Lundër, në ditën e mbledhjes me të deleguarit e Tiranës, mes Ramës dhe avokatit të Veliajt, ku janë shqyrtuar modalitetet e drejtimit të bashkisë nga burgu dhe firmosja e shkresave që mbrojtësit ligjorë do i transportonin nga bashkia në qeli.

Nuk dihet se cili është interesi konkret që e detyroi Ramën të bëjë këtë piruetë, ndoshta zgjedhjet e ardhshme në Tiranë, apo ndoshta një skandal për të larguar sado pak vëmendjen prej tij, por një gjë është e qartë, deri në 15 shtator kryeministri dhe ish delfini i tij, tashmë i plagosur, do të bashkojnë forcat për të arritur qëllimin.

Pyeja është: çfarë ndodh nëse ia dalin? Nëse presioni politik arrin të mposhtë edhe këtë radhë drejtësinë? Një gjë kuptohet lehtë, Veliaj jashtë do të dekretonte fundin e asaj që një shumicë e dinë, por që ka ende të tjerë që duan ta besojnë: drejtësisë të pavarësuar nga ndërkombëtarët. Nëse sot nuk ka më asnjë zyrtar të lartë të burgosur për tre inceneratorë që nuk ekzistojnë, nëse tashmë askush nuk prej tyre nuk gjendet i dënuar për koncesionet skandaloze në shëndetësi, nëse një zv kryeministre Rama nuk e dorëzon dhe një tjetër gjendet në arrati, kthimi i mundshëm i Veliajt në zyrë do të shkërmoqte çdo iluzion për reformën në drejtësi. Ky do të qe vërtet fundi.

Megjithëatë, sado e tmershme të duket shembja e kësaj ëndrre të rreme, cilado qoftë pesha e zhgënjimit, kjo mund të ishte një nga ato të këqia që vijnë për mirë.

Një ngjarje e tillë do i hapte styte edhe atyre protestuesve që kanë ende shpresë tek SPAK, edhe idiotëve të dobishëm që vijojnë të vetëgënjehen se jetojmë në demokraci, se nuk ka më as një trup të ndërmjetëm, as media, as opozitë e aq më pak drejtësi, që të ketë forcën për ta korigjuar sadopak këtë regjim. Nwse  shembet përfundimisht përralla me drejtësinë e re, sfida që do të shpërfaqet do të jetë ajo realja, ajo e përballjes, pa asgjë midis, mes popullit të pakënaqur që ka dalë në rrugë dhe një njeriu të vetëm.

Advertisement