Connect with us

Aktualitet

Zëvendëson Silvio Gonzaton, ambasadorja e re e BE-së mbërrin në Shqipëri

Ambasadorja e re e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, dorëzon sot kredencialet te Presidenti Bajram Begaj. Diplomatja portugeze zëvendëson në këtë detyrë italianin Silvio Gonzato.

Moreira de Sousa ka një eksperiencë të gjatë në institucionet dhe strukturat diplomatike evropiane. Përpara emërimit në Shqipëri, ajo ka drejtuar Përfaqësinë e Komisionit Evropian në Portugali, ndërsa më herët ka shërbyer si Ambasadore e BE-së në Kepin e Gjelbër.

Karriera e saj në institucionet evropiane nisi në Agjencinë Evropiane të Hapësirës, ku u angazhua në departamentin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe në çështjet ndërkombëtare të programit satelitor Galileo.

Në vitet 2005–2006, ajo shërbeu si këshilltare e lartë e Përfaqësuesit Special të BE-së për Kaukazin. Më pas, deri në vitin 2014, ka qenë këshilltare e lartë e zëvendëssekretarit të Përgjithshëm të BE-së, duke u angazhuar edhe në çështje që lidhen me negociatat me Iranin dhe marrëdhëniet e Bashkimit Evropian me Partnerët Lindorë.

Diplomatja portugeze ka drejtuar gjithashtu programe trajnimi në Akademinë e Drejtësisë Evropiane në Trier të Gjermanisë, ku është marrë me përgatitjen e kurseve për gjyqtarë dhe magjistratë mbi të drejtën dhe jurisprudencën evropiane.

Para karrierës në institucionet evropiane, Moreira de Sousa ka punuar si avokate në një studio ligjore në Porto, qytetin e saj të lindjes. Ajo ka studiuar drejtësi në Portugali dhe ka përfunduar një program LLM në të Drejtën Ndërkombëtare dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Universitetin e Hamburgut në Gjermani.

Me marrjen e detyrës së re, Sofia Moreira de Sousa do të jetë një nga figurat kryesore të përfaqësimit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, në një periudhë të rëndësishme për procesin e integrimit të vendit në BE.

Advertisement