Connect with us

Bota

SHBA në alarm nga Putin: Rusia mund të sulmojë vendet anëtare të NATO-s

Rusia mund të ndërmarrë veprime edhe kundër një vendi anëtar të NATO-s. Ky është paralajmërimi që ka dhënë ambasadori i SHBA-ve në NATO, Matthew Whitaker.

Diplomati amerikan, në një prononcim për mediat, ka komentuar rrezikun e zgjerimit të konfliktit përtej Ukrainës, duke e lidhur atë me sjelljen e deritanishme të Kremlinit.

Sipas tij, pushtimi i plotë i Ukrainës dhe më herët aneksimi i Krimesë janë dy shembuj që tregojnë se Moska mund të veprojë në mënyrë të paparashikueshme.

I pyetur drejtpërdrejt nëse Vladimir Putin mund të sulmojë NATO-n, Whitaker u shpreh se në afat të shkurtër probabiliteti mbetet i ulët. Arsyeja, sipas tij, është se Rusia është ende e bllokuar ushtarakisht në frontin ukrainas.

Megjithatë, ai theksoi se SHBA nuk e përjashton një skenar të tillë në të ardhmen.

“Pushtimi rus i Ukrainës dhe aneksimi i mëhershëm i Krimesë na bëjnë të besojmë se Rusia mund të jetë e paparashikueshme dhe mund të jetë e gatshme të ndërmarrë veprime kundër një vendi të NATO-s”, tha ambasadori.

Whitaker shtoi se deklaratat e fundit të presidentit rus Putin nuk lënë shumë vend për optimizëm, ndaj sipas tij, Ukraina duhet të pajiset me të gjitha kapacitetet e nevojshme për t’u mbrojtur për aq kohë sa të jetë e nevojshme, deri në përfundimin e luftës.

Advertisement