Aktualitet
Pas 72 orësh në qeli, lirohen protestuesit/ Aktivistët njëzëri: Protesta nuk do të ndalet
Aktivisti Arben Kola është liruar pas 72 orësh qëndrimi në qeli dhe menjëherë pas daljes ka deklaruar se protestat kundër qeverisë do të vijojnë.
Në një komunikim për News24, Kola e ka interpretuar vendimin e gjykatës për lirimin e tij si tregues se arrestimi i tij ka qenë i paligjshëm. Ai akuzoi gjithashtu qeverinë se po përballet me protestuesit përmes dhunës, ndërsa theksoi se reagimi i tyre do të jetë paqësor.
“Gjykata e dha verdiktin e saj, arrestimi ishte i paligjshëm. Ramoviçi ka vendosur të përballet me dhunë, ne i përgjigjemi me paqe”, deklaroi Kola, duke shtuar se protesta e tij synon rrëzimin e qeverisë, të cilën ai e akuzon për korrupsion dhe keqqeverisje.
Edhe aktivisti Edison Lika deklaroi se arrestimet nuk do të ndalin aksionin opozitar dhe protestat e qytetarëve. Ai bëri thirrje për pjesëmarrje në protestat e radhës, duke thënë se kauza lidhet me sigurinë dhe kundërshtimin e bandave kriminale.
“Ftojmë të gjithë qytetarët të bashkohen sot e çdo ditë në shesh. Ky regjim duhet rrëzuar njëherë e mirë”, u shpreh Lika.
Deklaratat e aktivistëve vijnë pas lirimit të tyre nga qelitë, ndërsa protestat kundër qeverisë pritet të vijojnë. Kola dhe Lika kanë bërë të qartë se arrestimet nuk do të ndikojnë në vendimin e tyre për të vazhduar protestat.