Connect with us

Politike

Edi, miku im/ Meloni i dërgon mesazh Ramës: Jam krenare për rrugën që po ndjekim së bashku

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni i është përgjigjur videomesazhit të kryeministrit Edi Rama, i cili e uroi për jetëgjatësinë e qeverisë së saj, duke vlerësuar marrëdhënien mes dy vendeve dhe bashkëpunimin personal mes tyre.

Me tone miqësore, por edhe me një dozë ironie, Meloni falënderoi Ramën dhe iu referua ndryshimeve të shpeshta të qeverive dhe partnerëve politikë në Itali.

“Edi, miku im, faleminderit nga zemra për këtë videomesazh. Si gjithmonë, arrin të ndërthurësh ironinë me disa të vërteta jo fort komode!”, shkroi ajo.

Meloni tha se është e kënaqur që Rama, pas ndryshimeve të shumta të partnerëve politikë në Romë, ka mundur të ndërtojë një marrëdhënie më të afërt me qeverinë aktuale italiane.

Sipas saj, stabiliteti politik është thelbësor për ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme.

“Kur gjen ekipin e duhur, është më e lehtë të luash mirë dhe të arrish rezultate”, u shpreh Meloni.

Ajo theksoi se gjatë viteve të fundit mes saj dhe Ramës është krijuar një marrëdhënie e sinqertë dhe një bashkëpunim konkret, që ka forcuar më tej lidhjet mes Shqipërisë dhe Italisë.

“Shqipëria është një mike dhe partnere e vlefshme dhe jam krenare për rrugën që po ndjekim së bashku, edhe në arenën evropiane”, deklaroi Meloni.

Në fund, kryeministrja italiane i dërgoi Ramës një përshëndetje të ngrohtë: “Një përqafim të ngrohtë për ju dhe shihemi së shpejti!”

Advertisement