✦
Thinking ...
Connect with us

Kronike

NE KURTH PER TA VRARE, PLAGOSET SHQIPTARI

Një 55-vjeçar shqiptar ka mbetur i plagosur në një atentat me armë zjarri në Athinë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 04:55 të mëngjesit, në lagjen Patisia, në rrugën Vrutu, në momentin kur shqiptari po dilte nga banesa e tij.

Sipas informacioneve paraprake nga autoritetet greke, ndaj 55-vjeçarit është qëlluar me armë zjarri nga dy persona, të cilët pas sulmit janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja me një motoçikletë.

I plagosuri ka marrë ndihmën mjekësore dhe raportohet se është jashtë rrezikut për jetën. Plumbat e kanë kapur në gjymtyrët e poshtme.

Në vendin e atentatit, policia greke ka sekuestruar tre gëzhoja dhe një plumb, ndërsa janë ngritur kontrolle në zonën përreth për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Hetimet për ngjarjen janë marrë përsipër nga Drejtoria e Krimit të Organizuar e Policisë së Atikës.

Një nga pistat që po hetohet lidhet me të kaluarën e 55-vjeçarit. Autoritetet greke po verifikojnë nëse ai ka pasur më herët probleme me drejtësinë apo lidhje me aktivitete kriminale.

Pista kryesore e hetimit është ajo e një larjeje të mundshme hesapesh. Policia po përpiqet të zbardhë nëse autorët kanë synuar eliminimin e 55-vjeçarit apo nëse sulmi ka qenë një paralajmërim.

Deri në këto momente, autorët nuk janë identifikuar, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të atentatit.

Një banor i zonës ka treguar se para të shtënave kishte dëgjuar një grup prej rreth katër ose pesë personash duke u grindur dhe duke folur me zë të lartë. Sipas tij, fillimisht u dëgjua një e shtënë, rreth 10 sekonda më vonë një e dytë dhe pas rreth 30 sekondash një tjetër.

Banorët e zonës bëjnë të ditur gjithashtu se rreth 15 ditë më parë kishte ndodhur një tjetër incident me të shtëna armësh në të njëjtën zonë. Në atë rast nuk pati persona të plagosur, ndërsa plumbat goditën automjete të parkuara.

Advertisement