Kronike
Nga puna në turizëm te tragjedia, ky është 24-vjeçari Ylber Luli që humbi jetën në Shkodër
Ky është Ylber Luli, 24 vjeç, i riu që humbi jetën mëngjesin e kësaj të marte pas një konflikti të përgjakshëm në lagjen “Kongresi i Përmetit” në Shkodër.
Luli ishte i angazhuar në sektorin e turizmit në Shkodër dhe ushtronte profesionin e udhërrëfyesit turistik.
Sipas të dhënave paraprake të Policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 05:30, kur një konflikt për motive të dobëta mes tre personave përfundoi me përdorimin e armës së zjarrit dhe thikës.
25-vjeçari Andri Vulaj dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri ndaj Ylber Lulit dhe babait të tij, Qamil Luli, 63 vjeç.
Në rrethana që mbeten ende nën hetim, babë e bir dyshohet se kanë plagosur me thikë 25-vjeçarin Vulaj.
Ylber Luli u transportua në spital për të marrë ndihmë mjekësore, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë.
Pas ngjarjes, Policia ka bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e Andri Vulajt, ndërsa në vendngjarje është sekuestruar edhe arma e zjarrit që dyshohet se është përdorur në konflikt.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive për secilin prej personave të përfshirë.
