Connect with us

Aktualitet

Po vendosnin shtyllat e ndriçimit, ky është punonjësi i Bashkisë që humbi jetën në krye të detyrës

Muhamet Sylisufaj është 58-vjeçari që humbi jetën tragjikisht këtë të martë, ndërsa ishte duke kryer detyrën si punonjës i Bashkisë Tropojë. Ai po punonte së bashku me tre kolegë për vendosjen e shtyllave të ndriçimit përgjatë rrugës së Dobravës, në afërsi të fshatit Bujan, kur një prej shtyllave ra në kontakt me telat e energjisë elektrike.

Goditja nga korrenti ishte fatale për Sylisufajn, i cili ndërroi jetë në vendngjarje. Ndërkohë, tre kolegët e tij, Albert Dunisha, 40 vjeç, Ilir Dautaj, 47 vjeç dhe Afrim Aliaj, 21 vjeç, pësuan dëmtime dhe u transportuan për trajtim mjekësor në Spitalin e Bajram Currit. Gjendja e njërit prej të plagosurve është raportuar më kritike dhe ai është nisur drejt Tiranës për ndihmë të specializuar.

Pas tragjedisë, familja Sylisufaj në fshatin Gri të Tropojës ka hapur dyert e mortit. Të afërmit, miqtë dhe banorët e zonës janë njoftuar për pritjet mortore dhe përcjelljen e 58-vjeçarit për në banesën e fundit.

Sipas Policisë së Shtetit, ngjarja ndodhi gjatë punimeve për transportin, shpërndarjen dhe vendosjen fizike të shtyllave të ndriçimit. Nga veprimet paraprake dyshohet se, gjatë vendosjes së një shtylle në bazament, për shkak të peshës së saj, katër punonjësit që po e mbanin kanë humbur ekuilibrin. Shtylla dyshohet se ka prekur telat e energjisë elektrike, duke përcjellë rrymën te punonjësit.

Policia bën me dije se punimet po kryheshin në bazë të planit të punës të datës 4 shtator 2026, të Bashkisë Tropojë, Drejtorisë së Turizmit, Shërbimeve Publike dhe Transportit.

Grupi hetimor vijon veprimet procedurale për të përcaktuar me saktësi rrethanat e aksidentit, mënyrën e kryerjes së punimeve dhe përgjegjësitë që mund të lidhen me ngjarjen tragjike.

Advertisement