Pinknews
KAM 7 VITE QË VUAJ/ Granit Cana shpërthen në rrëfim: Kam menduar edhe më të keqen
Pas imazhit që publiku njohu në “Big Brother VIP”, Granit Cana ka vendosur të tregojë një tjetër anë të jetës së tij, atë të një beteje të gjatë shëndetësore dhe emocionale.
Në një intervistë ish-banori i “Big Brother VIP 1” zbuloi se prej gati 7 vitesh përballet me një problem shëndetësor, simptomat e të cilit janë shfaqur gradualisht.
Cana tregon se gjithçka ka nisur me episode të shikimit të turbullt, të cilat në fillim zgjasnin vetëm disa minuta. Me kalimin e kohës, problemet u shtuan.
Edhe gjatë qëndrimit në “Big Brother VIP” ai kishte shfaqur shqetësime, por vendosi të mos fliste hapur për to.
“Kam gati 7 vite me këtë gjendje. Fillimisht më vinte si pamje e turbullt edhe zgjaste 5 minuta dhe ikte”, rrëfeu Cana.
Pas daljes nga reality show, ai nisi një seri kontrollesh mjekësore. Kontrollet e syve rezultuan në rregull, ndërsa një skaner i kryer për të përjashtuar një problem në sinus nuk solli një përgjigje përfundimtare.
Cana tha se ka kryer analiza të ndryshme dhe është konsultuar edhe me neurologë. Në vizitën e fundit, sipas tij, mjekët i kanë rekomanduar një ekzaminim të mëtejshëm për të kontrolluar edhe mundësinë e një infeksioni.
“DY VITE NË DEPRESION”
Beteja nuk ka qenë vetëm fizike.
Cana rrëfeu se për rreth dy vite ka kaluar një periudhë depresioni, duke përshkruar momente të vështira emocionale dhe izolimi.
“Ka pasur momente që jam mbyllur në dhomë, kam qarë si fëmijë”, tregoi ai.
Ish-banori i “Big Brother VIP” pranoi gjithashtu se në periudhat më të vështira ka pasur mendime për t’i bërë keq vetes.
Ai tha se në këto momente ka gjetur forcë te familja dhe besimi fetar.
“Kam menduar pastaj për familjen. Jam njeri që besoj, jam besimtar, kjo më ka ndihmuar shumë”, u shpreh Cana.
Rrëfimi i tij vjen si një mesazh përtej ekranit, duke treguar vështirësitë që mund të fshihen pas një figure publike dhe rëndësinë e kërkimit të ndihmës dhe mbështetjes në periudha të vështira.