Connect with us

Kronike

SHPERTHEN KARBURANTI NE TIRANE, KA TE PLAGOSUR

Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur mëngjesin e sotëm zonën e Bërrylit në Tiranë, duke shkaktuar plagosjen e tre punonjësve dhe dëme të konsiderueshme materiale në një karburant.

Sipas të dhënave paraprake, shpërthimi dyshohet se ka ardhur nga një bombol gazi në ambientet e karburantit, ku kryhet furnizimi i automjeteve.

Si pasojë e shpërthimit, një strukturë njëkatëshe është dëmtuar rëndë dhe pjesërisht është shembur. Brenda saj akomodoheshin edhe punonjësit e karburantit.

Tre punonjësit e plagosur janë transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Gjendja e tyre shëndetësore ende nuk është bërë e ditur.

Pas shuarjes së flakëve, zjarrfikësit kanë nisur pastrimin e rrugës, e cila vijon të jetë e bllokuar për qarkullimin.

Rruga pritet të hapet vetëm pasi të përfundojnë ndërhyrjet dhe të rikthehet situata në gjendje normale, për të garantuar sigurinë e kalimtarëve dhe automjeteve.

Ndërkohë, në zonë po punohet edhe për largimin e pasojave të shpërthimit. Një fadromë është angazhuar për heqjen e inerteve të mbetura pas shkatërrimit të strukturës së karburantit dhe godinës njëkatëshe ku qëndronin punonjësit.

Autoritetet dhe grupet e emergjencës vijojnë punën në vendngjarje, ndërsa pritet të përcaktohen me saktësi rrethanat dhe shkaku i shpërthimit.

Pas incidentit, ka reaguar policia, që në një informacion paraprak shkruan: “Tiranë. Tek “Brryli”, në një karburant, dyshohet se ka shpërthyer një bombul gazi, gjatë kohës që po furnizohej me karburant një automjet.

Si pasojë, janë dëmtuar 3 persona, punonjës të karburantit, të cilët janë dërguar në spital për mjekim, jashtë rrezikut për jetën. 

Tre personat e dëmtuar nga shpërthimi i mëngjesit të sotëm në një karburant pranë Brrylit janë dërguar në Spitalin Universitar të Traumës.

Ministria e Shëndetësisë bën me dije se të tre pacientët ndodhen në gjendje të stabilizuar dhe po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Aktualisht, ata po kryejnë ekzaminimet e mëtejshme për vlerësimin e gjendjes së tyre shëndetësore.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të rastit”.

Lajmi vijon të përditësohet.

Advertisement