Connect with us

Shkrime

Afër Europës por jashtë dyerve/ A po përgatitet “kurthi” i integrimit të pjesshëm për Ballkanin?

Ballkani Perëndimor rrezikon të mbetet për një kohë të gjatë në pragun e Bashkimit Evropian, ndërsa në Evropë po diskutohet gjithnjë e më shumë ideja e një “integrimi të pjesshëm” për vendet e rajonit.

Formula do t’u jepte vendeve të Ballkanit akses më të madh në tregun evropian, fonde dhe mekanizma të BE-së, por pa të drejta të plota politike dhe pa anëtarësim.

Në pamje të parë, kjo mund të duket si një hap drejt Evropës. Por kritikët paralajmërojnë se ekziston rreziku i krijimit të një “Evrope me dy nivele”: shtete anëtare që marrin pjesë në vendimmarrje dhe vende të tjera që zbatojnë rregullat evropiane, por pa pasur zë në hartimin e tyre.

Një nga modelet e përmendura në këtë debat është Islanda, e cila ndonëse nuk është anëtare e BE-së, ka lidhje të forta ekonomike dhe institucionale me unionin.

Por situata e Islandës ndryshon ndjeshëm nga ajo e Ballkanit Perëndimor. Vendet e rajonit përballen ende me sfida në forcimin e shtetit të së drejtës, institucioneve dhe standardeve demokratike.

Pikërisht për këtë arsye, perspektiva e anëtarësimit shihet si një nga motorët kryesorë të reformave.

Pyetja që ngrihet është nëse vendet e rajonit do të kenë të njëjtin motivim për reforma nëse marrin përfitimet ekonomike të BE-së, por pa një perspektivë të qartë për anëtarësim të plotë.

Në këtë debat, Mali i Zi shihet si një test i rëndësishëm. Si një nga vendet më të avancuara të rajonit në procesin e integrimit, mënyra se si do të trajtohet kandidatura e Podgoricës mund të tregojë nëse zgjerimi i BE-së do të vazhdojë të bazohet kryesisht te reformat dhe merita.

Mesazhi i analizës është se integrimi ekonomik duhet të shërbejë si urë drejt anëtarësimit të plotë dhe jo si zëvendësim i tij.

Përndryshe, Ballkani Perëndimor rrezikon të mbetet në një zonë gri: pranë Evropës ekonomikisht, por larg saj politikisht.

Dhe sa më gjatë të zgjasë kjo situatë, aq më shumë hapësirë mund të krijohet për ndikime të tjera politike, ekonomike dhe strategjike në rajon.

Advertisement