Aktualitet
Sherri me Edi Ramën e la pa punë, Arjan Konomi: Më kërkuan të heshtja politikisht
Arjan Konomi ka treguar se pas datës 15 gusht është kontaktuar nga zyrat e Top Channel për të firmosur kontratën dhe se madje ishte njoftuar edhe për xhirimin e reklamës së programit.
Por, sipas versionit të tij, gjithçka ndryshoi brenda pak kohësh.
Ai pretendon se u njoftua se ishte “pezulluar”, ndërsa xhirimi fillimisht u shty dhe më pas komunikimi me televizionin, sipas tij, u ndërpre.
Deklarata e Konomit vjen në një moment kur ai ka qenë në qendër të një përplasjeje publike me kryeministrin Edi Rama. Pikërisht për këtë arsye, reagimi i tij ka shtuar dyshimet nëse qëndrimet politike mund të kenë ndikuar në situatën e krijuar me televizionin.
Sipas Konomit, gjatë komunikimeve me televizionin i është kërkuar gjithashtu që të mos shprehte qëndrime politike në rrjetet sociale dhe të mos merrte pjesë në protesta, pasi do të ishte imazh i televizionit.
Argumenti i tij ishte se roli që do të kishte në “Për’puthen” lidhej me një emision dashurie dhe jo me një program politik, ndaj nuk e shihte të arsyeshme të kufizonte qëndrimet e tij personale.
Në reagimin e tij, Konomi e vendos çështjen në një plan më të gjerë, atë të lirisë së shprehjes.
“Për lirinë e fjalës dhe të mendimit, për lirinë e shprehjes dhe të opinionit do të luftoj derisa të lë frymë”, shkruan ai.
Konomi ka qenë prej vitesh një nga figurat më të identifikueshme të “Për’puthen”, duke mbajtur rolin e opinionistit në disa sezone të programit.
Tashmë, rikthimi i tij në emision nuk duket më aq i sigurt sa raportohej ditët e fundit. Sipas vetë Konomit, procesi kishte kaluar deri në fazën e kontratës dhe përgatitjeve për reklamën, përpara se ai të njoftohej papritur për “pezullimin”.
Nëse kjo situatë lidhet apo jo me përplasjen e tij me Edi Ramën, mbetet për t’u parë. Deri në një reagim zyrtar nga Top Channel, kjo pjesë mbetet e pakonfirmuar.
SHKRIMI I DATES 31 GUSHT 2026
Nëse deri pak ditë më parë qarkullonte lajmi se Arjan Konomi do të rikthehej në rolin e opinionistit, zhvillimet e fundit duket se e kanë ndryshuar situatën. Përplasja e bujshme që ai pati me kryeministrin Edi Rama në Vuno ka rikthyer emrin e Konomit në qendër të vëmendjes, por jo për shkak të “Për’puthen”.
Sipas raportimeve që qarkullojnë tashmë, Konomi nuk pritet të jetë pjesë e panelit të opinionistëve në sezonin e ri.
Ngjarja ndodhi më 20 gusht në Vuno, ku Konomi u përplas fillimisht me eskortën e kryeministrit Edi Rama dhe më pas u shoqërua në Komisariatin e Himarës.
Sipas versionit të treguar nga Konomi, gjithçka nisi pasi në Vuno ishin vendosur gjoba ndaj automjeteve të parkuara në zona ku ndalohej parkimi. Gazetari pretendoi se, teksa po kthehej nga mbledhja e fiqve, pa automjetet e eskortës së kryeministrit të parkuara në një zonë ku, sipas tij, qytetarët e zakonshëm penalizoheshin.
Konomi tha se nisi të filmonte me telefon dhe të kërkonte llogari se përse nuk zbatohej i njëjti standard edhe për eskortën e kryeministrit.
Në një video të publikuar prej tij pas daljes nga komisariati, ai rrëfeu se kishte pasur një përballje me Ramën dhe familjarët e tij, ndërsa pretendoi se situata ishte përshkallëzuar dhe se më pas ishte shoqëruar nga policia.
Por Edi Rama dha një tjetër version të ngjarjes.
“Ja që për fat të mirë ka edhe një video tjetër”, shkroi Rama në reagimin e tij, duke kundërshtuar versionin e Konomit.
Pra, përplasja mbeti me dy versione publike: atë të Konomit, i cili pretendoi se u përball me një situatë agresive pas kritikave për parkimin e eskortës, dhe atë të Ramës, i cili publikoi pamje dhe tha se gazetari kishte provokuar situatën.
Duket se kjo përplasje i ka kushtuar gazetarit vendin e punës. Menjëherë e kanë larguar nga Përputhen, duke lënë deri tani vetëm Erjola Docin si opinioniste.
Jo vetëm kaq!
Autori Ronaldo Sharka flitet se ka shumë vështirësi në gjetjen e gazetarëve që duhen për të realizuar emisionin e dashurisë. Burime për ‘Pamfleti’ konfirmojnë se deri tani asnjë nga gazetarët që punojnë në TCH nuk ka pranuar të jetë vartës i Sharkës dhe nuk dihet përse. Me një opinionist mangut, një tjetër që më shumë është kuzhiniere dhe me kast të paplotësuar, Ronaldos do i duhet më shumë se fat për të çuar përpara ‘Përputhen’.
