Aktualitet
Dhunimi i të miturit ndez konfliktin/ Dy të rinj shkojnë të armatosur në lokal
Një konflikt i nisur pas dhunimit të një të mituri ka përshkallëzuar në një lokal në fshatin Gomsiqe e Re të Shkodrës, ku dy persona janë shfaqur të armatosur, njëri me kallashnikov dhe tjetri me pistoletë.
Ngjarja ka ndodhur më 6 shtator. Sipas pamjeve të publikuara nga avokati Arben Llangozi, një automjet ndalon pranë lokalit dhe prej tij zbresin dy persona, të cilët hyjnë në ambientet e lokalit. Njëri prej tyre mban një kallashnikov, ndërsa personi tjetër është i armatosur me pistoletë.
Në pamje, personi me kallashnikov shihet duke komunikuar me një person brenda lokalit, ndërsa tjetri afrohet te një klient jashtë ambientit dhe e dhunon. Pas përplasjes, klienti tenton të largohet, por personi i armatosur me pistoletë ia drejton armën në drejtim të tij. Arma nuk është përdorur.
Sipas Policisë së Shkodrës, ngjarja dyshohet se ka ardhur pas një konflikti të mëparshëm, gjatë të cilit dy persona kishin dhunuar një të mitur. Më 6 shtator, dy personat e përfshirë në konflikt kanë shkuar në lokal dhe kanë kanosur me armë dy personat me të cilët ishte konfliktuar i mituri.
Në lidhje me ngjarjen, policia ka shpallur në kërkim dy shtetasit e dyshuar si autorë të kanosjes me armë. Ndërkohë, tre persona të përfshirë në konflikt, si edhe pronari i lokalit, janë proceduar në gjendje të lirë.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes, zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësisë së secilit prej personave të përfshirë.