Connect with us

Kronike

Përplasje e trefishtë në Lushnjë-Berat/ Dy të plagosur rëndë (DETAJET)

Një aksident i rëndë është regjistruar këtë pasdite në rrugën nacionale Lushnjë–Berat, pranë fshatit Kashtbardhë. Në përplasjen e fuqishme janë përfshirë tre automjete, ndërsa dy drejtuesit e mjeteve që u përplasën kokë më kokë kanë mbetur të plagosur.

Të plagosurit janë transportuar në Spitalin e Lushnjës, ku, sipas informacioneve paraprake, ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.

Sipas dëshmisë së drejtueses së një automjeti tip Fiat, një Benz po kryente një parakalim në korsinë në drejtim të Lushnjës. Ajo ka deklaruar se Benz-i ka prekur fillimisht Fiat-in dhe më pas është përplasur kokë më kokë me një automjet tip Ford.

Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i Ford-it ka humbur kontrollin e mjetit, i cili ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanalin anësor.

Në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e Policisë së Lushnjës, të cilët kanë nisur hetimet për të përcaktuar dinamikën e plotë të aksidentit dhe përgjegjësitë e mundshme.

Advertisement