Aktualitet
AKSHI/ Tre oferta më të lira jashtë garës, tenderi i internetit merr “Red Flag”
Një procedurë prokurimi për shërbimin e internetit të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si është përzgjedhur fituesi, pasi në një nga lotet janë lënë jashtë garës disa oferta me vlerë më të ulët.
Bëhet fjalë për Lotin 1 – “Shërbimi Internetit Linja 1 AKSHI”, me numër reference REF-88311-06-01-2026 dhe fond limit 2,244,094 lekë pa TVSH. Në procedurë morën pjesë gjashtë operatorë ekonomikë.
Dokumentet tregojnë se oferta fituese është ajo e bashkimit të operatorëve “NSolution” dhe “HORIZON”, me vlerë 1,953,792 lekë pa TVSH.
Por përpara saj kishte tre oferta më të ulëta: “Albanian Telecommunications Union” me 1,638,188 lekë, “ONE Albania” me 1,695,744 lekë dhe “ABISSNET” me 1,719,296 lekë.
Diferenca mes ofertës më të ulët dhe asaj të shpallur fituese është 315,604 lekë.
Pikërisht për këtë arsye, databaza Open Procurement Albania e ka shënuar procedurën me “Red Flag”, duke evidentuar faktin se janë skualifikuar operatorë që kishin paraqitur oferta më të ulëta se fituesi.
Ky klasifikim është një sinjal për verifikim dhe nuk përbën në vetvete provë për shkelje apo korrupsion.
Dokumentet japin edhe arsyet e skualifikimeve. “Albanian Telecommunications Union”, që kishte ofertën më të ulët, rezulton se nuk kishte dorëzuar brenda afatit një dokument të kërkuar për gjendjen gjyqësore të subjektit juridik.
Rasti i “ONE Albania” dhe “ABISSNET” është ndryshe. Tenderi ishte ndarë në tre lote dhe një operator mund të fitonte maksimumi vetëm një lot. ONE Albania rezulton fituese e Lotit 2, ndërsa ABISSNET e Lotit 3, ndaj nuk mund të shpalleshin fituese edhe në Lotin 1.
Megjithatë, në dokumentacion shfaqet edhe një element që meriton vëmendje. Në formularin e shpalljes së fituesit për Lotin 1, argumentimi për ONE Albania dhe ABISSNET përmban formulimin se operatorët “skualifikohen nga loti 2”, megjithëse dokumenti i referohet Lotit 1.
Mund të bëhet fjalë për një gabim material në hartimin e formularit, por mospërputhja mbetet pjesë e dokumentacionit të procedurës.
Procedura e përgjithshme për tre linjat e internetit të AKSHI-t kishte fond limit total 6,732,282 lekë pa TVSH, ndërsa shërbimi parashikohet të zgjasë 730 ditë.
Faktet tregojnë pra një procedurë ku oferta fituese nuk ishte më e lira, ndërsa disa prej ofertave më të ulëta u përjashtuan për arsye procedurale të përcaktuara