Aktualitet
Belshi mbeti pa drita pas stuhisë, 32 vjeçari humb jetën gjatë riparimit të linjës elektrike
Një 32-vjeçar, punonjës i OSHEE-së, ka humbur jetën në fshatin Trojas të Belshit, teksa ishte duke punuar për riparimin e një linje elektrike.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:30. Sipas të dhënave paraprake, elektricisti me inicialet K. Z. dyshohet se ka rënë në kontakt me energjinë elektrike gjatë ndërhyrjes teknike dhe, si pasojë, ka humbur jetën.
Pas ngjarjes, në vendin e incidentit kanë mbërritur grupi hetimor dhe shërbimet përkatëse, të cilat kanë nisur verifikimet për përcaktimin e rrethanave të sakta.
Nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.