Aktualitet
Tritol në banesën e mësuesit 60 vjeçar, shpërthimi alarmon banorët
Një sasi e vogël lënde plasëse është hedhur mbrëmjen e së shtunës në oborrin e banesës së një 60-vjeçari në lagjen “Qemal Stafa”, në Shkodër.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 21:30. Sipas Policisë, lënda plasëse është hedhur nga persona ende të paidentifikuar në oborrin e banesës së shtetasit Metin Bushati, i cili ushtron profesionin e arsimtarit.
Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar motivin dhe rrethanat e ngjarjes.