Thinking ...
Connect with us

Kronike

Natë terrori/ Qëllohet me breshëri në drejtim të një makine

Një sulm me armë zjarri është regjistruar gjatë mesnatës në fshatin Urakë të Matit, ku një automjet i parkuar pranë një banese është qëlluar me breshëri plumbash.

Sipas të dhënave paraprake, pronarët e banesës dhe automjetit ishin kthyer së fundmi nga Italia. Ata nuk kanë pësuar dëmtime si pasojë e të shtënave.

Pas ngjarjes, banorët e zonës kanë njoftuar Policinë, e cila ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet. Në zonën ku ndodhi sulmi janë gjetur rreth 30 gëzhoja armësh.

Ndërkohë, mëngjesin e kësaj të diele, po në fshatin Urakë, është gjetur një automjet i djegur, i cili dyshohet se mund të jetë përdorur nga autorët e sulmit. Rrethanat e kësaj lidhjeje janë ende duke u verifikuar nga grupi hetimor.

Deri në këtë fazë nuk dihet nëse familja që u përfshi në ngjarje ka pasur konflikte apo probleme të mëparshme.

Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, përcaktimin e motivit dhe identifikimin e autorëve të dyshuar.

Advertisement