Thinking ...
Connect with us

Politike

Debati për pagat e gjyqtarëve, Rama nxjerr shifrat: 2 mijë euro më e lartë se ajo e Presidentit

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me debatin për pagat e magjistratëve, duke publikuar në platformën X të dhëna mbi nivelin aktual të pagave të gjyqtarëve dhe rritjen e kërkuar prej tyre.

Sipas Ramës, paga mesatare e gjyqtarëve në Shqipëri është aktualisht 280% më e lartë se paga mesatare në administratën shtetërore. Ai pretendon gjithashtu se kjo pagë është rreth 60% më e lartë se ajo mesatare e gjyqtarëve në Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa e konsideron më të lartë edhe krahasuar me pagat e gjyqtarëve në Kroaci, Bullgari dhe Serbi.

Kryeministri argumenton se, nëse do të miratohej rritja e kërkuar, paga mesatare e gjyqtarëve shqiptarë do të kalonte nivelin e pagave të kolegëve në Greqi, Rumani dhe Slloveni.

“Me rritjen e kërkuar me llogarinë vetë Zot vetë Shkop, paga mesatare e gjyqtarëve bëhet më e lartë se në Greqi, Rumani e Slloveni dhe 140% më e lartë se në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa në raport me administratën shqiptare ajo kërcen në 470% më shumë”, shkruan Rama.

Rama ndalet edhe te krahasimi mes pagave të gjyqtarëve dhe pagave të drejtuesve më të lartë të shtetit. Sipas tij, me rritjen e kërkuar, paga mesatare e trupës gjyqësore do të ishte rreth 1 mijë euro më e lartë se paga e Presidentit dhe 2,200 euro më e lartë se ajo e një ministri.

Ai thotë se diferenca do të ishte edhe më e madhe në nivelet më të larta të sistemit gjyqësor.

“Sot, aktualisht, është gati 2000 Euro më shumë se e Presidentit dhe 3000 Euro më e lartë se e ministrit, po bashkë me rritjen?!.. Oh, aty pastaj shkon mbi 5000 Euro më e lartë se e Presidentit dhe 6300 Euro më shumë se e ministrit!”, shprehet kryeministri.

Në fund të reagimit, Rama i referohet edhe kallëzimit penal të bërë nga shoqatat e gjyqtarëve ndaj Ministrit të Financave dhe drejtuesve të thesarit. Sipas tij, çështja lidhet me kërkesën për ekzekutimin e rritjes së pagave pa një vendim të Kuvendit.

Pretendimet dhe shifrat e publikuara nga kryeministri janë pjesë e debatit të hapur mbi pagat e magjistratëve dhe mënyrën e zbatimit të tyre.

Advertisement