Bota
Kuajt e Trojës në BE/ Marta Kos paralajmëron ndëshkime për anëtarët e ardhshëm
Bashkimi Evropian po përgatitet të ndryshojë mënyrën e zgjerimit me vendet kandidate, duke paralajmëruar njëkohësisht masa të reja mbrojtëse për anëtarët e ardhshëm.
Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ka bërë të ditur se Komisioni Evropian do të prezantojë më 30 shtator propozime për një qasje më ambicioze ndaj integrimit gradual.
Në fokus do të jenë sektorët strategjikë që, sipas saj, do të përcaktojnë të ardhmen e kontinentit: energjia, transporti, lëndët e para kritike, rrjetet dixhitale dhe infrastruktura e inteligjencës artificiale.
Por paralajmërimi më i fortë i Kos lidhet me vetë vendet që do të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian.
Komisionerja riktheu termin “Kuajt e Trojës”, duke thënë se në Bruksel po diskutohet për mekanizma mbrojtës që do të garantonin se shtetet e reja nuk do të dëmtonin funksionimin dhe vendimmarrjen e Bashkimit Evropian nga brenda.
Në veçanti, theksi vendoset te respektimi i sundimit të ligjit.
Sipas Marta Kos, shtetet e reja anëtare duhet të garantojnë institucione funksionale dhe një sistem drejtësie që siguron mbrojtje për investimet dhe qytetarët.
Kos mbrojti zgjerimin e BE-së, duke sjellë si shembull përparimin ekonomik të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore pas anëtarësimit.
Por krahas zgjerimit, Brukseli duket se po përballet me një tjetër betejë: ndikimin e fuqive të jashtme.
Marta Kos akuzoi Rusinë se po përpiqet të pengojë vendet kandidate në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Ajo përmendi rritjen e sulmeve kibernetike dhe të dezinformimit pas njoftimit për avancimin e procesit të anëtarësimit të Malit të Zi.
Në fokus është edhe Kina.
Sipas Kos, Pekini po përdor një strategji tjetër, duke rritur investimet në vendet kandidate me synimin që kompanitë kineze të kenë akses më të madh në tregun e përbashkët evropian në momentin që këto vende të anëtarësohen.
Ndërkohë, komisionerja për Zgjerimin kërkon një angazhim më të madh politik nga qeveritë e vendeve anëtare.
Ajo tha se pa mbështetjen e liderëve evropianë, procesi i zgjerimit është shumë i vështirë për t’u çuar përpara dhe pret angazhime konkrete në Këshillin Evropian të muajit tetor.
Në rajon, Mali i Zi synon të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian, ndërsa Shqipëria synon anëtarësimin në vitin 2030.
Por mesazhi i ri nga Brukseli është i qartë: zgjerimi po afrohet, por dera e BE-së nuk do të hapet më pa kushte.
Integrim gradual, respektim i rregullave, mbrojtje nga ndikimet e jashtme dhe mekanizma për të parandaluar që “Kuajt e Trojës” të kthehen në një kërcënim nga brenda.
Një formulë e re që mund ta ndryshojë rrugën e Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të Ballkanit drejt Bashkimit Evropian.