Thinking ...
Connect with us

Bota

Tetori i negociatave/ Moska sinjalizon raund të ri bisedimesh për fundin e luftës me Ukrainën

Kremlini shpreson që gjatë muajit tetor të zhvillohet një raund i ri bisedimesh trepalëshe mes Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës, në përpjekje për të gjetur një rrugë drejt zgjidhjes së konfliktit.

Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i cili tha se mundësia e një takimi të ri është diskutuar dhe se Moska ndan të njëjtin qëndrim me Jared Kushner për nevojën e zhvillimit të bisedimeve.

Megjithatë, sipas Peskov, në këtë fazë nuk ka propozime të reja konkrete mbi tryezë.

Qëllimi i një raundi të ri negociatash do të ishte pikërisht shqyrtimi i alternativave që mund të çojnë drejt një marrëveshjeje për përfundimin e konfliktit.

Por një prej pengesave kryesore mbetet çështja territoriale.

Këshilltari i presidentit Vladimir Putin për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, deklaroi se përparimi në këtë pikë do të krijonte kushte më të favorshme për arritjen e marrëveshjeve edhe për çështjet e tjera të mbetura pezull.

Çështja e territoreve është ndër temat më të vështira të çdo negocimi mes Moskës dhe Kievit, duke e bërë atë një prej pikave kyçe për çdo marrëveshje të mundshme.

Pavarësisht sinjaleve nga Moska, për momentin nuk ka një datë apo vend të përcaktuar për takimin.

Megjithatë, deklaratat e Kremlinit rikthejnë në skenë diplomacinë si një tjetër front të luftës në Ukrainë.

Tetor mund të sjellë një tjetër tryezë negociatash, por mbetet e paqartë nëse Moska, Uashingtoni dhe Kievi do të arrijnë të kapërcejnë pengesën më të madhe: territorin.

Advertisement