Thinking ...
Connect with us

Bota

Putin me raketa në dorë: Dakord për negociata, por luftën do ta vazhdojmë

Moska sinjalizon gatishmëri për t’u rikthyer në tryezën e negociatave me Kievin, por pa pranuar armëpushim në front. Rusia kërkon bisedime, ndërsa paralelisht thekson se operacionet ushtarake do të vijojnë.

Deklarata e fortë vjen nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili nga Nju Delhi, në margjinat e samitit të BRICS, deklaroi se Moska nuk ka ndërmend të pezullojë operacionet ushtarake gjatë negociatave.

Sipas Lavrov, Rusia po tregon vullnet të mirë dhe është e gatshme të rikthehet në dialog me Ukrainën. Por kushti i Moskës është i qartë: bisedimet mund të zhvillohen, ndërsa luftimet në terren vazhdojnë.

Madje, Lavrov përsëriti ftesën që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky të udhëtojë në Rusi për të zhvilluar negociata me udhëheqjen ruse.

“Nëse dëshiron të vijë, le të vijë”, deklaroi Lavrov, duke e paraqitur një vizitë të Zelenskyt në Rusi si një gjest vullneti të mirë. Por Kievi e ka refuzuar më herët mundësinë e zhvillimit të një takimi të tillë në territorin rus.

Në të njëjtën linjë është edhe Kremlini. Zëdhënësi Dmitry Peskov hodhi poshtë raportimet për një takim të mundshëm mes Vladimir Putinit dhe Zelenskyt në Miami, gjatë samitit të G20-s në dhjetor.

Sipas Moskës, nëse presidenti ukrainas kërkon një takim kokë më kokë me Vladimir Putinin, atëherë ai duhet të udhëtojë në Moskë.

Ndërkohë, në prapaskenë shtohen përpjekjet diplomatike të Shteteve të Bashkuara. Uashingtoni po përpiqet të rikthejë Moskën dhe Kievin në tryezën e negociatave, ndërsa raportimet flasin për një përpjekje të presidentit amerikan Donald Trump për të organizuar një samit trepalësh.

Por mesazhi rus mbetet i prerë: negociata po, armëpushim jo.

Dhe ndërsa diplomacia kërkon një rrugëdalje nga lufta, fronti mbetet aktiv, duke e bërë çdo përpjekje për një marrëveshje edhe më të vështirë.

Advertisement