Bota
Rritja e çmimit të naftës/ Trump “fajëson” Zelenskyn dhe luftën në Ukrainë
Ukraina ka ndërmarrë një tjetër seri sulmesh gjatë natës ndaj infrastrukturës energjetike ruse. Sipas “The Kyiv Independent”, që citon kanale ukrainase të monitorimit, forcat ukrainase kanë goditur objekte pranë qytetit të pushtuar të Mariupolit, në lindje të Ukrainës, si dhe rezervuarë karburanti në qytetin rus të Taganrogut.
Raportime për zjarre dhe shpërthime kanë ardhur edhe nga Soçi, ndërsa Ministria ruse e Mbrojtjes pretendon se gjatë natës ka rrëzuar 399 dronë ukrainas.
Sulmet ndaj infrastrukturës energjetike janë kthyer në një nga objektivat kryesore të Ukrainës, në përpjekje për të goditur furnizimin që mbështet aktivitetin ushtarak të Rusisë dhe për të kufizuar kapacitetet e saj të eksportit të energjisë. Sipas raportimeve, sulmet kanë ndikuar edhe në furnizimin me karburant në disa zona.
Zhvillimet kanë tërhequr edhe vëmendjen e presidentit amerikan Donald Trump. Ai deklaroi se sulmet ukrainase ndaj infrastrukturës energjetike ruse po ndikojnë në rritjen e çmimeve të naftës në Shtetet e Bashkuara.
Trump tha se kishte diskutuar këtë çështje me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe bëri thirrje që Ukraina të mos godasë objektet e naftës.
“Ne folëm me z. Zelensky për këtë. Ka shumë objektiva të tjerë. Mos e goditni naftën”, deklaroi Trump.