Thinking ...
Connect with us

Bota

‘Kryshku’ hyn në lojë/ Trump ngre frenat e luftës: Trump shpall armëpushim të pjesshëm Ukrainë-Rusi

Një hap i ri drejt uljes së tensioneve në luftën Rusi-Ukrainë.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaron se Moska dhe Kievi kanë rënë dakord të ndalojnë sulmet ndaj objektivave energjetike të njëri-tjetrit.

Përmes një postimi në Truth Social, Trump bëri të ditur se Ukraina ka pranuar të mos godasë më objektivat energjetike ruse, ndërsa Rusia është zotuar të veprojë në të njëjtën mënyrë.

Deklarata e presidentit amerikan vjen pasi ai i kërkoi të dielën presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky të ndalojë sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës dhe infrastrukturës së lidhur me prodhimin dhe shpërndarjen e naftës.

Trump e lidh drejtpërdrejt këtë zhvillim edhe me situatën në tregjet e energjisë. Sipas tij, lufta Rusi-Ukrainë ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e çmimit global të naftës dizel.

Në Shtetet e Bashkuara, çmimi mesatar i dizelit ka kaluar për herë të parë nivelin e 6 dollarëve për gallon, duke shënuar rekord.

Ukraina prej muajsh ka përdorur raketa me rreze të gjatë për të goditur rafineritë, depot dhe objektet e industrisë ruse të naftës dhe gazit.

Sulmet kanë shkaktuar probleme në furnizimin e brendshëm rus dhe kanë kontribuar në masa racionimi të karburantit.

Ndërkohë, Moska ndaloi eksportet e dizelit në korrik, duke shtuar presionin mbi një treg global tashmë të tensionuar.

Nëse marrëveshja e njoftuar nga Trump zbatohet në terren, ajo mund të përbëjë një zhvillim të rëndësishëm në konflikt.

Kjo pasi infrastruktura energjetike është kthyer në një prej objektivave kryesore të luftës, me Ukrainën që synon të godasë kapacitetet ekonomike dhe logjistike të Rusisë.

Por për momentin, ajo që është e qartë është se Trump ka njoftuar një ndalim të pjesshëm të goditjeve ndaj energjisë, duke e vendosur edhe një herë Shtëpinë e Bardhë në qendër të përpjekjeve për të frenuar përshkallëzimin e luftës.

………………

Advertisement