Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Miliona euro nën hetim/ Tomorri: Temperatura ka ndryshuar, Balluku nuk është më e fuqishme si më parë

Gazetari i ekonomisë Klodian Tomorri e ka cilësuar çështjen e Belinda Ballukut si një prej hetimeve me peshën më të madhe financiare në SPAK, për shkak të vlerës së lartë të prokurimeve në sektorin e infrastrukturës.

Tomorri deklaroi se SPAK po heton rreth 11-12 procedura prokurimi, me një vlerë që sipas tij shkon në rreth 300 deri në 400 milionë euro.

Sipas gazetarit, çështja kryesore nuk është vetëm përcaktimi i përgjegjësive penale, por edhe llogaritja e dëmit financiar që mund t’u jetë shkaktuar qytetarëve dhe rikuperimi i parave, nëse korrupsioni provohet.

Tomorri shprehu skepticizëm për rezultatet financiare të hetimeve të mëparshme, duke thënë se në raste të tjera nuk është përcaktuar qartë dëmi ekonomik dhe nuk ka pasur rikuperim të plotë të parave.

“Interesi i qytetarëve shqiptarë është që aty ku ka korrupsion dhe vjedhje të pasurisë publike, të rikthehen ato para”, deklaroi ai.

Gazetari foli gjithashtu për raportin mes politikës dhe SPAK, duke thënë se në raste të figurave të rëndësishme të mazhorancës, sipas perceptimit të tij, hetimet kanë avancuar pas distancimit politik të kryeministrit Edi Rama.

Në fund, Tomorri ngriti një tjetër pikëpyetje mbi ecurinë e çështjes Balluku, duke deklaruar se nga jashtë “temperatura” ndaj saj duket më e ulët se më parë.

Hetimi vijon, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar nëse procedurat e prokurimit kanë shkaktuar dëm financiar dhe nëse do të ketë përgjegjësi penale.

Advertisement