Bota
Tensionet zhvendosen në hapësirë, Amerika pranon se ka vendosur armë në orbitë
Shtetet e Bashkuara pranojnë publikisht për herë të parë se kanë armë të vendosura në orbitë.
Deklarata vjen nga U.S. Space Force, e cila konfirmon ekzistencën e kapaciteteve hapësinore të destinuara për kontrollin dhe mbrojtjen e hapësirës.
Sipas një zëdhënësi të Space Force, Shtetet e Bashkuara posedojnë armë në orbitë, të afta të mbrojnë Forcat e Përbashkëta nga veprimet armiqësore të kundërshtarëve.
Por Uashingtoni nuk jep detaje.
Nuk dihet se çfarë lloj armësh janë vendosur në orbitë, sa janë ato apo cilat janë objektivat e tyre.
Sipas autoriteteve amerikane, kontrolli i hapësirës përfshin një gamë të gjerë kapacitetesh ushtarake, nga sistemet kinetike deri te ato jo-kinetike.
Ato mund të përdoren për të mbrojtur satelitët amerikanë, por edhe për të kufizuar ose dëmtuar aftësitë hapësinore të kundërshtarëve.
Në fokus janë kryesisht Rusia dhe Kina.
Uashingtoni akuzon Pekinin se po zhvillon me shpejtësi kapacitete hapësinore dhe kundër-hapësinore, ndërsa Rusia e konsideron hapësirën një fushë të mundshme konflikti.
Militarizimi i hapësirës nuk është i ri.
Gara nisi që në periudhën e Luftës së Ftohtë, kur Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik zhvilluan teknologji për të mbrojtur satelitët e tyre dhe për të dëmtuar sistemet hapësinore të kundërshtarit.
Në vitin 1967 hyri në fuqi Traktati për Hapësirën e Jashtme, i cili ndalon vendosjen në orbitë të armëve të shkatërrimit në masë.
Por traktati nuk ndalon të gjitha llojet e armëve apo sistemeve ushtarake në hapësirë.
Satelitët janë thelbësorë për ushtritë moderne.
Ata përdoren për komunikime, navigim, zbulim, mbikëqyrje dhe transmetim të të dhënave.
Prandaj, kontrolli i hapësirës mund të jetë vendimtar në një konflikt të ardhshëm.
Konfirmimi amerikan tregon se rivaliteti mes fuqive të mëdha po zhvendoset gjithnjë e më shumë përtej Tokës.
Nga toka, deti dhe ajri, gara strategjike tashmë shtrihet edhe në orbitë.