Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

GJKKO shpall vendimin për ‘Revanshin’, Durim Bami dënohet me 10 vite e 8 muaj burg

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka dënuar me 10 vite e 8 muaj burgim Durim Bamin, në kuadër të dosjes “Revanshi”.

Vendimi është dhënë më 14 shtator 2026, pas përfundimit të gjykimit me procedurën e gjykimit të shkurtuar.

Sipas vendimit të GJKKO-së, Bami është shpallur fajtor për disa vepra penale, mes tyre sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje, krijimi, drejtimi apo organizimi i grupit të strukturuar kriminal dhe kultivimi i bimëve narkotike, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Për akuzën e sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes, në dëm të shtetasit me inicialet A.N., gjykata e ka dënuar me 8 vite burgim.

Ndërkohë, për krijimin, drejtimin apo organizimin e grupit të strukturuar kriminal, në lidhje me veprat penale kundër jetës, Bami është dënuar me 3 vite burgim.

Për akuzën e kultivimit të bimëve narkotike, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, gjykata ka caktuar 10 vite burgim, ndërsa për veprën penale të krijimit, drejtimit apo organizimit të grupit të strukturuar kriminal, në lidhje me kultivimin e narkotikëve, 3 vite burgim.

Në bashkim të dënimeve, gjykata caktoi përfundimisht 16 vite burgim.

Por, për shkak të gjykimit të shkurtuar, në zbatim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, dënimi përfundimtar i Durim Bamit është ulur në 10 vite e 8 muaj burgim.

Gjykata ka vendosur që llogaritja e dënimit të nisë nga dita e arrestimit dhe vuajtja e dënimit të kryhet në burg të sigurisë së lartë.

Në një tjetër pikë të rëndësishme të vendimit, Durim Bami është shpallur i pafajshëm për akuzën e sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes në dëm të dy shtetasve të tjerë, me inicialet T.Xh. dhe E.M.

Në të njëjtën dosje, GJKKO ka dënuar edhe të pandehurit e tjerë. Oltion Zefi është dënuar me 10 vite burgim, Edson Jozwik me 8 vite, Henerigert Mitri me 5 vite e 4 muaj, Altin Morina me 6 vite e 8 muaj, ndërsa Jozi Kraja dhe Aldo Avdyli me nga 4 vite e 8 muaj burgim.

Vendimi nuk është përfundimtar. Kundër tij mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.

Advertisement