Thinking ...
Connect with us

Shkrime

Vendimi i Hagës/ Analisti ngre alarmin: Kosova duhet të jetë e përgatitur edhe për skenarin më të rëndë

Në prag të shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, analisti Baton Haxhiu ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si institucionet e Kosovës dhe shtetet perëndimore po përgatiten për pasojat e mundshme të vendimit.

Haxhiu thekson se përgatitja e shteteve për skenarë të ndryshëm nuk do të thotë domosdoshmërisht se ato e dinë paraprakisht përmbajtjen e aktgjykimit. Sipas tij, SHBA-ja, Britania, Gjermania, Franca, Italia dhe strukturat e NATO-s kanë arsye të vlerësojnë rreziqet dhe të planifikojnë masat e sigurisë, veçanërisht për mbrojtjen e personelit në Kosovë.

Megjithatë, Haxhiu pretendon se, bazuar në informacione që ai thotë se ka marrë, drejtimi i pritshëm i verdiktit mund të jetë komunikuar në disa qarqe shtetërore jashtë gjykatës, ndërsa mbetet e paqartë se cili do të jetë vendimi për secilin prej katër të akuzuarve.

Pikërisht për këtë arsye, ai paralajmëron kundër çdo hamendësimi për të dënuar apo të pafajshëm, duke theksuar se vendimi zyrtar dhe arsyetimi i tij do të bëhen të ditura vetëm në momentin e shpalljes nga Haga.

Haxhiu ngre gjithashtu pikëpyetje mbi raportimet për masa të mundshme të EULEX-it dhe stafit ndërkombëtar, duke kërkuar që çdo pretendim për largime apo evakuime të konfirmohet dhe të sqarohet nëse lidhet me masa rutinë sigurie apo me një vlerësim konkret të situatës pas vendimit.

Në analizën e tij, ai përmend edhe deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiç, duke thënë se siguria me të cilën politikanët flasin për një vendim ende të pashpallur mund të krijojë përshtypjen e një informacioni paraprak, por nuk mund të merret si provë.

Sipas Haxhiut, cilido qoftë vendimi, Kosova duhet të jetë e përgatitur për betejën politike dhe interpretimin publik që do ta shoqërojë. Ai paralajmëron se një verdikt i pafavorshëm mund të përdoret për të njollosur luftën çlirimtare, ndërsa një vendim pafajësie mund të sulmohet nga kundërshtarët si rezultat i ndërhyrjes politike.

Për Haxhiun, përgjegjësia e institucioneve është të përgatiten për pasojat pa shpallur paraprakisht fajësinë apo pafajësinë e askujt.

Vendimi i takon gjykatës, ndërsa përgjegjësia për përgatitjen e Kosovës për pasojat e mundshme i takon politikës. Aktgjykimi ndaj individëve, argumenton Haxhiu, nuk duhet të shndërrohet në fajësi kolektive dhe as në arsye për eskalim të situatës në terren.

Nga Baton Haxhiu

Gjyqtarët nuk zbresin nga qielli dhe shtetet nuk hyjnë në një ditë me pasoja të mundshme rajonale duke pritur që gjithçka ta mësojnë nga transmetimi televiziv. Pavarësia e gjykatës është detyrim për mënyrën si merret vendimi, por nuk përjashton komunikimin institucional, vlerësimet e sigurisë dhe përgatitjen politike. Megjithatë, përgatitja për pasojat nuk është e njëjtë me njohjen paraprake të aktgjykimit.

Ky është dallimi që duhet të udhëheqë debatin. Shtetet që mbajnë trupa ose personel në terren kanë arsye të kërkojnë vlerësime për rrezikun dhe masat e nevojshme. Qeveritë e tyre mund të analizojnë reagimet e mundshme, të përgatisin komunikimin dhe të planifikojnë mbrojtjen e personelit pa e ditur përmbajtjen e vendimit. Nga kjo nuk rrjedh automatikisht se atyre u është dorëzuar aktgjykimi.

Megjithatë, nga informacionet që kam marrë, drejtimi i pritshëm i verdiktit është komunikuar në qarqe shtetërore jashtë gjykatës, ndërsa mbetet akoma i paqartë përfundimi për secilin emër. Në këtë rrethanë paqartësie, nuk do të ishte e drejtë të hamendësonim nëse dikush prej katër të akuzuarve do të lirohet dhe nëse dikush do të dënohet.

Sot, më 16 shtator, në orën 10:00, Dhomat e Specializuara do të shpallin aktgjykimin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Atëherë do të kemi vendimin zyrtar dhe arsyetimin e tij. Sot, pyetja kryesore është nëse Kosova po përgatitet për pasojat e mundshme dhe nëse institucionet e Kosovës, Qeveria në veçanti, po komunikojnë me ndershmëri kufijtë e asaj që dinë.

SHBA-ja, Britania, Gjermania, Franca dhe Italia, së bashku me strukturat e NATO-s dhe shtetet që mbajnë trupa në Kosovë, kanë arsye të drejtpërdrejta për të kërkuar vlerësime paraprake të pasojave. Qeveritë në Prishtinë, Tiranë, Shkup dhe Beograd kanë gjithashtu interes të menjëhershëm politik. Por një vlerësim sigurie, një pritshmëri diplomatike dhe njohja e përmbajtjes së aktgjykimit janë tri gjëra të ndryshme. Ato nuk bëhen të njëjta vetëm sepse kalojnë nëpër zyra të rëndësishme

Nëse shteteve u është komunikuar paraprakisht drejtimi i vendimit, kjo kërkon shpjegim për burimin, qëllimin dhe kufijtë e këtij informimi. Nëse, përkundrazi, ato po veprojnë mbi analizat e shërbimeve dhe diplomatëve të tyre, atëherë përgatitja e tyre nuk duhet të lexohet si provë për natyrën e verdiktit. Në të dyja rastet, publiku dhe qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të kërkojnë llogari për mënyrën si po përgatitet Kosova. Konfidencialiteti operacional nuk mund të bëhet justifikim për mungesën e përgjegjësisë politike.

Këtu merr rëndësi edhe çështja e stafit të BE-së dhe EULEX-it. Informacionet për largim ose evakuim kërkojnë konfirmim. Pa të, do të ishte e pandershme të shkruhej se evakuimi ka filluar. Por, nëse po shqyrtohen masa të tilla, publiku duhet të dijë nëse bëhet fjalë për kujdes rutinë, kërcënim konkret, apo vlerësim të reagimeve pas vendimit. Këto skenarë kanë domethënie të ndryshme dhe nuk duhet të ngatërrohen me njohjen paraprake të aktgjykimit

Këto plane për mbrojtjen e personelit janë indikatorë të mjaftueshëm se pasojat e mundshme po merren seriozisht. Prandaj pyetja për qeverinë është nëse po përgatitet me të njëjtin seriozitet edhe për qytetarët, familjet e të akuzuarve dhe komunikimin publik, apo do ta zbulojë peshën e ngjarjes vetëm pasi ta dëgjojë nga Haga.

Deklaratat e Vuçiçit duhen lexuar në këtë kuadër. Siguria që shfaq një politikan për një vendim të pashpallur mund të krijojë përshtypjen e qasjes në informacion dhe ta orientojë paraprakisht debatin. Nga retorika nuk mund të dimë nëse ai ka informacion të besueshëm. Mund të analizojmë vetëm interesin e tij për ta kthyer gjykimin në argument politik kundër Kosovës

Nëse ka dënime, ekziston rreziku që ato të përdoren për të njollosur gjithë luftën çlirimtare. Nëse ka pafajësi, vendimi mund të sulmohet si produkt i mbrojtjes perëndimore. Asnjëra mundësi nuk dëshmon asgjë, por të dyja tregojnë pse Kosova duhet të përgatitet për betejën mbi interpretimin politik të vendimit.

Edhe qëndrimi i atribuar i kongresistit Keith Self-it, ditën e djeshme, e zhvendos debatin drejt njëanshmërisë së mundshme dhe stabilitetit rajonal, ndërsa pasiguria e shprehur nga mbrojtja tregon se afërsia me procesin nuk prodhon domosdoshmërisht siguri për përfundimin. Këto qëndrime meritojnë vëmendje, por as deklaratat politike dhe as ankthi profesional nuk zëvendësojnë provat dhe arsyetimin gjyqësor

Për këto arsye, Kosova duhet të përgatitet për skenarin më të rëndë, pa e shpallur paraprakisht fajësinë e askujt. Institucionet duhet të kenë plane për reagim politik e të sigurisë, familjet duhet të mbështeten dhe opinioni nuk duhet të ushqehet me premtime pafajësie që askush nuk mund t’i garantojë. Kjo është përgjegjësi shtetërore.

Kosova duhet të kërkojë drejtësi për secilin të akuzuar dhe respekt për çdo viktimë. Kritika ndaj aktgjykimit duhet të mbështetet në atë që gjykata ka provuar dhe në mënyrën si e ka arsyetuar vendimin. Pakënaqësia mund të jetë e fortë dhe publike, por eskalimi i situatës në terren në rast të një verdikti të disfavorshëm vetëm do t’u jepte kundërshtarëve argumentin që kërkojnë

BE-ja doli me qëndrim për pasojat, pavarësisht se vendimi i shkallës së parë ende kishte të drejtën e apelit. Kjo e paragjykonte vendimin dhe krijonte përshtypjen se përfundimi ishte trajtuar si i ditur para se të përfundonte procesi gjyqësor. Por, çfarëdo që të vendosë gjykata, Hashim Thaçi mbetet figurë historike e luftës çlirimtare dhe e shtetformimit të Kosovës. Një aktgjykim ndaj një individi nuk mund të fshijë historinë e një populli dhe as të barazojë përgjegjësinë individuale me fajësinë kolektive.

Të gjitha versionet për dy të liruar, katër të liruar, apo katër të dënuar mbeten të pakonfirmuara deri në shpallje. Autoriteti për të vendosur i takon trupit gjykues, ndërsa përgjegjësia për t’u përgatitur për pasojat i takon politikës. Një qeveri nuk mund të kërkojë besim për atë që thotë se nuk di dhe, njëkohësisht, të shmangë llogarinë për atë që duhet ta kishte parashikuar.

Advertisement